![](https://www.tiranadiplomat.com/wp-content/uploads/2024/12/jorgaqi.png)
Jorgaqi: Garantojmë produkte ushqimore të sigurta në treg
Drejtori i Komunikimit të Riskut dhe Monitorimit, pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), Martin Jorgaqi siguroi sot konsumatorët në treg për sigurinë e produkteve ushqimore.
![](https://www.tiranadiplomat.com/wp-content/uploads/2024/12/jorgaqi.png)
Drejtori i Komunikimit të Riskut dhe Monitorimit, pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), Martin Jorgaqi siguroi sot konsumatorët në treg për sigurinë e produkteve ushqimore.
Në një prononcim në media, Jorgaqi deklaroi se inspektorët e AKU-së kanë shtuar kontrollet dhe analizat e produkteve në treg dhe ka rezultuar që produktet në treg janë të sigurta për konsum.
“AKU është në terren duke ndjekur të gjithë zinxhirin e furnizimit të tregut shqiptar për të siguruar produkte të sigurta për secilin konsumator”, deklaroi ai.
Duke u ndalur në situatën e fundit të krijuar nga bllokimi i dy ngarkesave me mandarinë në kufirin me Kroacinë, Jorgaqi tha se në këto dy ngarkesa u gjet se është përdorur pesticidi i emërtuar chlorpyrifos, tashmë i ndaluar në listat e komunitetit europian dhe vendin tonë.
“Këto ngarkesa nga furnitorë shqiptarë, drejtuar drejt vendeve të BE-së dolën me përmbajtje të chlorpyrifos, dhe si të tilla u refuzuan nga vendet pritëse. Një pjesë e tyre janë asgjësuar në vendet ku ato kishin destinacionin, ndërsa 2 ngarkesa janë kthyer dhe janë marrë masat e menjëhershme për asgjësimin e tyre”, informoi ai.
Jorgaqi bëri të ditur se AKU nëpërmjet gjurmueshmërisë që ka në programet e veta të aktivitetit të këtyre magazinave mbledhëse apo eksportuese ka mundur që të shkojë deri te fermeri dhe ka bërë përshkallëzimin e masave ndëshkuese.
”Nga kontrollet zyrtare të kryera në terren, si në pikat e inspektimit kufitar, dhe në pikat e tregtimit të imputeve bujqësore dhe produkteve të mbrojtjes së bimëve nëpër qarqe janë kryer kontrollet e inspektimet e mundshme. Nga Shqipëria në këtë sezon që po flasim kanë ikur rreth 950 ngarkesa dhe në gjithë këtë fluks të madh ngarkesash, këto janë ngarkesat problematike”, tha ai.
Burimi ATSH