Imzot Giovani Peragine në krye të Kishës Katolike në Shkodër
Mesha e parë zyrtare e kreut të ri të Kishës Katolike në Shkodër do të mbahet më 11 janar
Nga dita e sotme Imzot Giovani Peragine ka marrë zyrtarisht detyrën e Arqipeshkvit të Dioqezës Shkodër-Pult.
Ceremonia e dorëzimit të detyrës u mbajt pranë katedrales së Shkodrës, ku iu dorëzua detyra nga Monsinjor Angelo Massafra.
Arqipeshkvi i Dioqezës Shkodër Pult, Imzot Peragine u shpreh se “me ardhjen në këtë Arqipeshkvi të Dioqezës Shkodër-Pult jam i vetëdijshëm se po shkel në një tokë të shenjtë një tokë e larë me gjakun e shumë martirëve, të cilët për të dëshmuar besnikërinë e tyre ndaj Krishtit dhe për të treguar afërsinë e tyre me njerëzit nuk ngurruan të japin jetën si Krishti”.
Monsinjor Peragine u caktua Ipeshkëv kuaditor në maj të vitit të kaluar pas dorëheqjes së Monsinjor Angelo Massafra, i cili shërbeu në Shkodër për 28 vite.
Mesha e parë zyrtare e kreut të ri të Kishës Katolike në Shkodër do të mbahet më 11 janar.