Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e sotme transferimin në pronësi të shoqërisë aksionare “Korporata e Investimeve Shqiptare”, të disa pronave shtetërore për realizimin e nënprojekteve të investimit “Copëzat”, “Hospitality” dhe “Godina e re e Bibliotekës Kombëtare”, pjesë e projektit të investimit “Për zhvillimin dhe menaxhimin e pronave shtetërore”.
Sipas vendimit, Korporata e Investimeve Shqiptare autorizohet për të vepruar si zhvillues i pronave, me funksion vetëm publik, në emër dhe për llogari të pronarit shtet për pronat shtetërore.
Vendimi shfuqizon po ashtu kalimin në pronësi nga Ministria e Mbrojtjes te Bashkia Tiranë, të një sipërfaqeje trualli funksional dhe objekti në pronën “Instituti i Studimeve dhe Projektimeve të Mbrojtjes”, dhënien në përdorim të përkohshëm, nga Ministria e Mbrojtjes Ministrisë së Punëve të Brendshme, të objektit me emërtim “Instituti i Studimeve dhe Projektimeve të Mbrojtjes”, për Shkollën Shqiptare të Administratës Publike, dhe dhënien në përdorim të përkohshëm, nga Ministria e Mbrojtjes Ministrisë së Punëve të Brendshme, të objektit me emërtim “Instituti i Studimeve dhe Projektimeve të Mbrojtjes”, për Shkollën Shqiptare të Administratës Publike”.
Ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Shkolla Shqiptare e Administratës Publike, Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Korporata e Investimeve Shqiptare për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
Burimi ATSH