I vonuar por asnjëherë i harruar Tonin Shtjefni!

Figurë emblematike për Shkodrën dhe qytetarinë shkodrane dhe jo vetëm, poeti, shkrimtari, gazetari dhe intelektuali i spikatur Tonin Shtjefni


Nga BUJAR QESJA
Mjeshtër i Madh

Më në fund i erdhi koha shkrimit, që më mundonte shumë në mëndje, por që nuk kisha arritur ta konkretizoja. Por sa më shumë vononte çfaqja e tij, aq më rritej përgjegjësia e shpejtimit të detyrimit jo vetëm ndaj një shoku, ndaj një miku, por edhe ndaj një intelektuali të spikatur, me peshë në atë që quhet shoqëria shqiptare.

Jam njohur me Tonin Shtjefnin, këtë shkodran nderues për qytetin e tij dhe jo vetëm, kur u ula të studioja për gazetari në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Shkencave Politiko Juridike në vitin 1970. Ndërmjet 26 emrave të kursit nga i gjithë vendi, ishte edhe Tonin Shtjefni. Fizik i brishtë por i fortë, me sy të shkruar e fytyrë, që shprehte 100 përqind mirësinë dhe kulturën e njohur shkodrane. Kaçurelat ia qendisnin kokën, duke ia shtuar bukurinë dhe elegancën këtij njeriu, që siç do të vinin punët, do të bëhej nga shokët më të preferuar dhe më të dashur të mitë.

Jam në ngushtësinë e shprehjes dhe të mendimit, për të gjetur arsyjen pse nuk u takova më me Tonin Shtjefnin, nga përfundimi i studimeve diku nga viti 1974. Por që si rrallëkush, portreti i tij mbeti i ulur këmbëkryq, në këtë që është bota ime shpirtërore. Kurrë nuk e harrova miqësinë me të, mbresat që i krijoi një bashkstudenti nga Durrësi, i cili e mbajti të paprekur, ashtu të bukur e të pashëm, ashtu të ditur plot kulturë dhe sharm, ashtu kristal si vetë poezia, e ngjizur fort në rrënjët e palëkundura të kulturës së njohur dhe të pasur shkodrane, portretin e paciflosur të Tonin Shtjefnit.

-Nuk të hiqte nga goja, më tregon shoqja e jetës së Toninit- Luiza. Ty dhe Riza Lahin, ju lakonte hera herës dhe qeshte me të madhe. Dukej se shoqëria me ju i kishte lënë mbresa, të cilat i shtrëngoi fort në kujtesë, duke i nxjerrë nga sirtari i saj kur të dëshironte. Dhe unë nuk mundem të shpjegoj, që u krijua një lloj brenge mos takimi sidomos me ty Bujar. Dhe mbeti malli i pashuar, brenda jetës së shuar të Toninit tonë.

Me 15 janar 1949, 76 vite më parë, në familjen e Kol Shtjefnit në Shkodër lindi fëmija i gjashtë. Ky ishte Tonini. Pas tre vajzave Terezinës, Ritës dhe Gjyzepinës, është vendi i tij. Më parë familja Shtjefni, kishte ndjerë të qarat e Martës dhe Paulinit. Dhe i fundit ndër të shtatët mbeti Gjovalini. Nëna Tonia dhe babai Kolë, u kujdesën për fëmijët e tyre, që trashigimia e mbiemrit të njohur Shtjefni të kishte pasardhës të merituar.

Shkolla françeskane italiane, është shumë e njohur dhe kjo jo vetëm në Shqipëri. Këtë përfundoi Kolë Shtjefni. Mënçuria i këtij burri të spikatur, u tregua në mbarimin e studimeve të larta për veterinari. Dhe sikur të mos mjaftonin këto, pasionin për etnografinë, veshjet kombëtare, e bëri akoma edhe më të famshëm Kolë Shtjefnin . Në festivalet folklorike të Gjirokastrës, ky shkodran profesionist i etnografisë, shoqërone grupet përfaqësuese dhe kujdesej për veshjet sipas krahinave.

Vëllai i madh i Toninit-Paulini, mbaroi për gjuhë letërsi dhe punoi në profesionin e gazetarit në Radio Shkodra, gazetën vendase “Jeta e Re”. Poet, prozator dhe autor i shumë teksteve të këngës ku kujtojmë “Gryka e Kaçanikut”, “Marak ç’u bana” dhe i pamunguar në të gjitha festivalet kombëtare të fëmijve. Vitet në mësuesi i bëri në Pukë, në shkollën ku dha mësim Millosh Gjergj Nikolla –Migjeni. Dhe si për të treguar, se brenda familjes Shtjefni do të ruheshin traditat dhe vazhdimësia, Tonini bëhet gjithaq i famshëm si poet, studiues, shkrimtar, gazetar, kuadër dhe intelektual i zëshëm. Pa dashur ta teproj në figuracion, lum Shkodra që e pati prezent tërë kohën familjen Shtjefni, ku djali i fundit Gjovalini ushtron biznesin, ku testoi dhe promovoi vlerat në shtypshkronjën e njohur “Shtjefni”.

E tash nënë Tonia dhe babai Kolë nuk jetojnë. Nuk jetojnë gjithashtu edhe Marta, Paulini, mësueset Terezina dhe Rita. Nga 5 shtatori 2009 mbylli sytë edhe shoku dhe miku im i çmuar Tonin Shtjefni, për të lënë me frymë dy përfaqësues të familjes së madhe Shtjefni, motrën Gjyzepina dhe vëllain e vogël Gjovalinin.

-Në rininë tonë në Shkodër, Tonin Shtjefni konsiderohej si një nga poetët e rinj më të talentuar dhe me një të ardhme të padyshimtë. Ishte një lirik i spikatur dhe ne fillestarët në fushë të letrave, e ndiqnim me admirim krijimtarinë e poetin të ri gjimnazist. Në atë kohë në Shkodër, shkruanin autorë tashmë të njohur Frederik Reshpja, Aleksandër Gera, Fadil Kraja, si dhe disa të tjerë që nomenklatura i imponoi përdhunshëm, por u harruan shpejt. Nga autorët fillestarë, binin në sy grupi i profesor Hasan Lekaj, i cili drejtonte rrethin e letrarëve të rinj para e pas vitit 1970, ndër të cilët ishin Tonin Shtjefni, Alfred Çapaliku, Riza Lahi, Fluturak Gërmënji, Mehmet Gucia e tjerë. Binte në sy dhe studenti i Institutit të Lartë Pedagogjik Dodë Kaçaj.

Kështu tregon, gazetari dhe shkrimtari aktiv shkodran Kolec Traboini.

Tonin Shtjefni kur erdhi në Tiranë, fillon mësimet për gjuhë letërsi. Këtu njihet me studenten e të njëjtës degë Luiza Matuka, e bija e kuadrit të njohur ushtarak, shkrimtarit Xhafer Matuka. Afirmimi si gazetar me të ardhme, e detyroi të ndryshoj degë dhe të zgjedhë si profesion bazë gazetarinë. Pikërisht këtu, nis miqësia dhe shoqëria ime, me këtë njeri më se të mirë, i qetë, me një të folur, ku dilte në pah origjinaliteti unikal i shkodranishtes. Siç do të vinin punët, Tonin Shtjefni do ta ngrinte shumë lart stekën krijuese dhe kjo paralel si poet e shkrimtar, si gazetar e organizator të punëve, si drejtues i organeve të shtypit dhe mbi të gjitha, si njeri tejet i rrallë në sinqeritetin, respektin dhe mirnjohjen që tregonte ndaj kujtdo.

Gazetari historik Zef Gurakuqi, pjesë e dinastisë së famshme të Gurakuqëve, kujton kohën kur punuan me Tonin Shtjefnin, tek gazeta “Zëri i Rinisë”.

-Tonini ishte njeri i mrekullueshëm. Bënte shumë për shokët. Bëntë çmos t’i ndihmonte, sikur të ishte detyrë e tij. Në asnjë rast nuk pranonte ta falenderonin. Mërzitej shumë kur të tjerët e harronin. Tonini ishte gazetar që la emër në “Zërin e Rinisë” dhe në organet e tjera, ku pati rastin të shërbente. Por më tepër kishte shpirt poeti, shpirt krijuesi. I kam ndjerë këto, sa herë shkoja me shërbim. E donte dhe e kërkonte faktin. Ndalej me kujdes në to dhe i trajtonte me mjeshtëri në shkrimet e botuara. Mbuloi sektorin letrar dhe mbështeti talentet e reja, ku i botoi poezitë dhe tregimet e para. Ndoqi traditën e bukur të paraardhësve të vet Jakov Xoxes dhe Vath Koreshit. Ka lënë vëllime me poezi, me tregime dhe kujtime. Mbetet mjeshtër i gazetarisë dhe i letërsisë. Ishte edhe organizator i dalluar. Që student, drejtoi gazetën “Studenti” si kryeredaktor i saj. U bë sekretar kolegjumi në “Zerin e Rinisë” dhe zëvëndëskryeredaktor në revistën “Ylli”. Do ta kujtojmë si njeri të mirë dhe të çquar të letrave.

Ndonëse dy vite më i madh nga unë, Shtjefni kishte bërë emër si poet dhe gazetar. Ishte burrëruar para kohe dhe formimi si gazetar, i erdhi më shpejt nga ne të tjerët. Në kursin tonë, nuk ishim të njëjtë në moshë. Kështu mund të përmënd Dilaver Baxhakun, Hysni Milloshin, Skënder Haskon, Tomor Jolldashin dhe pak më i ri Tonin Shtjefni. Që të pestë të afirmuar në shtypin e kohës dhe për ne më të rinjtë, ishin përvojë dhe pikëreferimi.

I datëlindjes 15 janar 1949, Tonin Shtjefni i mbylli sytë në moshën 60-të vjeçare. Shumë i ri dhe më ka mbetur peng, mostakimi me të prej shumë e shumë vitesh. Por edhe dekada nëse mund të kalojnë, kujtimi, shenjat e miqësisë dhe të lidhjeve shoqërore me këtë shkodran të vyer, me këtë poet me fuqi mendimi, me këtë gazetar që nuk konkurohej lehtë, me këtë kuadër ku i justifikoi të gjitha pozicionet, me këtë intelektual që na bënte nder, veçanërisht ne që e njihnim nga afër, nuk ka gjasa të veniten derisa të jem me frymë.

Angazhimi me një shkrim të veçantë për të, e quaj detyrim, i vonuar në kohë, ndonëse i paharruar nga unë, portreti tërheqës i shokut tim të rinisë Tonin Shtjefni. Ky që vazhdojmë pa u ndalur ta quajmë tranzicion na ndau, na e humbi orientimin e secilit në përshtatshmërinë e mundimshme, për t‘i dhënë drejtim jetës së trazuar. Por njëri tjetrin nuk e harruam, pasi thellë në shpirtërat tanë, u ruajt me fanatizëm sirtari i florinjtë i rinisë tonë, veçanërisht asaj studentore. Dhe unë dhe siç mësoja hera herës edhe Tonini, e kujtonim njëri tjetrin në biseda në mjedise intelektualësh.

Shkolla e jonë ishte shumë e fortë, e vështirë, por me fuqinë e përgatitjes së mirfilltë. Na u desh të studionim shumë, të shkruanim shumë, për ti dalë zot jetës dhe vetes sapo kishim lënë pas 20 vitet. Eh Tonin Shtjefni, sa mall kam! Aq më shumë që nuk të shikoj, pasi u bënë 16 vite, që mbi varr lexoj epitafin tënd:

Kur të tjerët të heshtur,
Pranë varrit tim do të vijnë,
Nëqoftëse emrin tim
Shikojnë të mbuluar me ferra,
Do të largohen me nxitim,
E nëqoftëse në të kundërt
Aty ka vetëm lule,
Nga një petale të bukur,
Të ta marrin si kujtim.
Ky do të jetë komunikimi im me botën,
Kur unë të mos jem.

Por jam me fat, se do ta mbaj të gjallë në të gjallët e tij, duke menduar dhe besuar se ende po jetojmë, po bisedojmë, po thurim ëndrra së bashku, si dikur në fillimet e viteve 70-të. Tonin Shtjefni! Krenari për Shkodrën, nder për shkodranët, luks për gazetarinë shqiptare.

Ishte viti 2005. Tonini pasi kishte kryer detyrën e shefit të shtypit në parlamentin shqiptar, ishte emëruar drejtor i bibliotekës shkencore të Universitetit të Tiranës. Valbona e bija, që ka mbaruar studimet e larta në Napoli për shkencat e edukimit dhe informacionit, e cila ka zgjedhur Italinë të jetojë, vjen disa ditë tek prindërit në Tiranë. Teksa pret të dalë i jati nga makina, që e kishte nga puna e drejtuesit, vë re vështirësinë e Toninit për të lëvizuar pa ndihmën e shoferit.
Kjo nxiti vëmëndjen për të bërë disa analiza dhe për t’u këshilluar me doktor Petrelën. Fati i mbrapshtë, e kishte kapur shokun tim të shkollës, të mirin dhe të urtin, të aftin dhe të gjindurin, të mënçurin dhe të duruarin Tonin Shtjefnin. Edhe asistenca italiane ishte në pamundësi. E liga bënte ligjin. Diagnoza e frikshme.

Tonini rezistoi, me mundësitë maksimale që i ishin taksur. E vuajti vetminë pasi u mbyll në shtëpi. Sëmundja ia kishte kufizuar lëvizjet. Ku ishte mësuar Tonin Shtjefni të mos thithte si nektar lëngun e jetës, duke u kufizuar brenda mureve të banesës! Si mund të shtrihej mbi karrocë, ky fizik i fortë dhe poet i lirikave të ndjera dhe fuqisë së pandalur të mendimit?!
Jeta e tij thyhej sadopak, me vizitat që i bënin shokët, kur punonte si sekretar kolegjumi në gazetën “Zëri i Rinisë”. Iu gjenden pranë deri në finale të jetës Zef Gurakuqi me Anën, Selami Spahiu me Lilin, Skënder Duka, Kujtim Shkreli me Besën, Angjelin Shtjefni, Ndue Zef Toma, Muharrem Xhafa me Meritën, Riza Lahi, Luçie Doçi, Qemal Sakajeva, Istref Bega, Andonaq Londo, Xhelal Gjeçovi, Shaqir Vuka, Zef Çoba.

Por i ishte gjindur në halle dhe në vështirësi shumë të tjerëve, që nuk i pa në prag. Dhe për këtë vuante. Sëmundja në një anë dhe pjesërisht vetmia në anën tjetër, e ligështuan më shumë. Diku shkruan vargjet:

Me mëshirën e Krishtit,
Të gjithë njerëzit i desha,
Pa ditur, që ato më duan apo jo.
I gatshëm të sakrifikoj nga vetvetja,
Në dhimbje e gëzime së bashku me to.

Pas shkollës së lartë, e kisha humbur lidhjen me Toninin, por jo shpirtin. Rruga ime ishte tjetër nga ajo e shokut tim. Jo pak përjetoi edhe mosmirnjohjen, veçanërisht në kohën që shkon në Shkodër, t’i jap lamtumirën e fundit nënë Tones dhe kur kthehet gazetarin e çquar Tonin Shtjefni, e kishin pushuar nga puna. Në atë kohë punonte në ATSH (Agjencinë Telegrafike Shqiptare).

U dërrmua shpirtërisht. Shkoi në Itali dhe mori përgjegjësinë e botimit të gazetës “Shpresa dhe Paqe”. Por qendroi pak dhe rikthehet në Atdhe, pasi sëmundja kishte filluar të nxirrte kthetrat, për ta tërhequr drejt dramës së paralajmëruar pak nga pak. Stres, ngarkesë, zhgënjim, drobitje, ankth dhe në fund pamundësi. Të gjitha këto provokuan atë fatalitet, që e vendosi në dhimbje familjen e tij dhe atë miqësi, të cilën e respektoi deri në fund.

Një kalë trokon nëpër heshtjen time,
trokon,trokon e ikën papushim,
sa larg ai qënka,
sa kohë paska shkuar,
duke trokuar në ditët pa kthim.
Ky kalë i vetmuar qënkam unë vetë,
i lodhur, i djersitur,
nëpër diell e shi,
njerëzit kthejnë kokën dhe i thonë njeri-tjetrit,
nga vjen, e ku shkon ky kalë në vetmi.

Tonini në kohëzgjatjen e jetës 60 vjeçare, botoi “Ëndërra të këputura”, “Ndjenjë që rriti brezat”, ese në vargje “Filozofija e jetës”, refleksione të jetës para pas ndryshimit të sistemeve “Krishti e ka fajin”, “Shtegtarët e Velushit” dhe “Pallati i miqësisë”. Vargjet që ilustrojnë këtë shkrim, janë të Tonin Shtjefnit.

Në to preket ligjërimi shpirtëror i poetit, ligështimi, optimizmi dhe fataliteti, zhgënjimi dhe virgjëria e adoleshencës. Më pas, u kthyen në shprehje të fuqishme poetike, si kushtrim i zërit të brendshëm dhe me nota dramatike, ku dallon figuracioni i goditur dhe shpërthimi mbreslënës i vargut, i ngjitur pas mendimit të pasur dhe të avancuar.

Me këmbët e zbathura, në rrathët e ferrit,
ecim dhe mundohemi
këtë shteg të kalojmë,
Duke shtyrë njëri tjetrin,
Duke sharë njëri tjetrin,
Ne të burgosurit e lirisë në mëkatet tona.
Jemi të gjithë këtu, me nga një kryq përmbi supe,
Duke u përgjakur, mbi ferrat ku ecim,
duam të bindim vetveten, se jemi të ndershëm.
Por ç’do të thotë ndershmëri,
pyesim edhe heshtim.
Përse ngecëm këtu në mes të ferrave.
Ku jemi?
Na ndihmo o Zot!Na ndihmo Shën Mëri!
Ja, kryqin e ngritëm të lodhur, të djersitur,
por robër të mëkatit mbetëm përsëri.
Në këtë shteg të lodhshëm po na zë nata.
Ditët po i presim në këtë shteg me rradhë,
duke urryer njëri tjetrin,
duke e rrëzuar njëri tjetrin,
njëri tjetrin, duke pështyrë edhe sharë.

Luiza, bashkshortja, e përjeton largimin e parakohshëm nga jeta të Toninit. Kohë të gjatë së bashku. Dashuria e nisur në vitet e shkollës, nuk u sos asnjëherë. Merrte forma dhe trajta të reja, sipas zhvillimit të etapave të jetës. Luiza rrjedh nga familja e fisme në Nivicë të Kurveleshit. I jati, Xhafer Matuka, së bashku me Gjergj Titanin dhe Rustem Peçin, janë krijuesit e armës së artilerisë bregdetare.

Shkrimtari Matuka e vuajti edhe ky intrigën e kohës. Mbaroi studimet e larta për oficer marine në Leningrad dhe caktohet në Institutin e Studimeve Ushtarake në Tiranë. Papritur e transferojnë në Durrës, me detyrën e komandantit të grupit të artilerisë bregdetare.

Dhe Luiza nga këtu bëhet vajzë durrsake, duke u lindur në Shkodër, në qytetin ku i ra shorti i jetës të krijone familje me djalin simpatik shkodran Tonin Shtjefni. Matuka ka qenë komandant i postës kufitare të Vidohovës, ku nisi provokacioni grek i 2 gushtit 1949. Botues i disa librave. Me 18 janar 1952, në moshën 54 vjeçare, si pasojë i një ataku kardiak, mbylli sytë përgjithnjë burri i madh Xhafer Matuka.
Erveheja, e ëma e Luizës, është mbesa e heroit të luftës së Vlorës në vitin 1920. Gjyshja Sefa, është vajza e parë e Selam Musait. E vajtoi të shoqin, por edhe Toninin që e kishte djalë edhe dhëndërr, pasi Luiza është e vetme në familjen Matuka.

Çifti Shtjefni, janë pasqyra ku mund të shikohet qartë përpjekja dhe lufta me mbijetësën, për t’ia dalë edhe kur përpara të vendosen një tufë me halle. Luiza punoi 30 vite në Institutin e nxënësve që nuk shikojnë dhe nuk dëgjojnë. Bëri specializime në Paris, Zvicër, Napoli, Bullgari etj. vetëm për mësimdhënie me të vërbërit.

Luiza ruan brenda vetes shumë kujtime nga Durrësi, pasi aty kreu edhe gjimnazin. Memorie për shoqet saja Elsa Ekonomin, Luljeta Petanin, Ervehe Bajraktarin, Nina Sinamatin, Donika Drizën dhe Menduhie Kapllanin. Ndonëse e transferuar në Tiranë, përsëri durrsaket e gjuhë letërsisë si Amelika Veliu, Mariana Josja, Lida Bellovoda, Polikseni Kosta, Roksani Druga mbeten nga më të preferuarat.

Ngjyra e syve sikur na është tjetërsuar,
Nga dhimbja dhe dëshpërimi.
Jemi pajtuar, kemi qeshur me buzë pranë njëri tjetrit.
Dhe kemi ngjarë herë si dete të trazuar,
Ku përplasen valët pa gjetur dot qetësi,
Her si qiell i pastër, me zogj e pulëbardha që fluturojnë.
Qielli edhe deti janë brenda nesh, edhe ne jemi brenda tyre,
Me të gjitha vitet që shkuan, e me të gjitha vitet që vijnë.
Unë e ti grua jemi tek agu i dritës, që zbardh në dritare,
tek zilja e sahatit mbi komedinë.
Tek detyrat e fëmijve, librat në bibliotekë,
Tek ëndërrat që çelin dhe largojnë pleqërinë.
Jemi me rrugët me njerëz, në lulishtet me njerëz,
E djem e vajza të dashuruar, në koncertet e mbrëmjes,
Dhe aromat e pranverës, unë e ti grua,
Në çdo grimcë të jetës, shkrihemi pa kuptuar.
Edhe ndjej në gjak, e në deje frymëmarjen e kohës,
Ne, dy dete të trazuar, e dy qiej të ndezur,
Me dallgë e me dritë,
Mbartin shqetësimet edhe gëzimet njerëzore,
Ditë për ditë.

Në familjen Shtjefni ka patur festë kur lindën dy fëmijët, më parë vajza Valbona dhe djali Sokoli. Edhe Sokoli është shkolluar në Itali, për shkencat politike dhe marrdhëniet ndërkombëtare. Valbona pati fatin e madh, që e bëri gjysh Toninin me djalin David Montela, që me 15 shtator 2024 plotësoi 21 vite jetë. Studion për psikologji, sociologji dhe shkenca të komunikimit. Ka pasion muzikën dhe ushtrohet në piano.

Dhurata më e bukur që iu bë Toninit, 9 muaj para se të ndalonte frymëmarrjen , ishte lindja e djalit të Sokolit, Tonit. Ndërsa fëmija i dytë i Sokolit, vajza Mia, jeton me kujtimet që i tregojnë për gjyshin e dashur, të cilin nuk arriti ta shikonte.

Emri i Tonit, shkurtim i emrit Tonin, është në privilegjin e mos-harresës së gjyshit, që aq shumë i deshi dhe iu përkushtua kur ishte ende në jetë.

Shkrimtari Riza Lahi, pilot në profesion, mbeti deri në minutën e fundit pranë mikut të hershëm Tonin Shtjefni, si në Shkodër ashtu edhe në Tiranë. Fjala mortore në ditën e lamtumirës, mbetet prekëse dhe e dhimbshme. Pas katër vitesh nga kjo, do të largohej nga jeta krejt papritur shkrimtari, njeriu i çmuar Riza Lahi, duke u bashkuar me Toninin në banesën e gjithkohshme.

Dje ishte një ditë me diell,
por kopshti i mendimeve, kishte ngrirë nga ngrica,
unë shkela në truallin që kërciste mjerueshëm,
shkela përdhunshëm,
dhe përdhunshëm ika.
Mu dhimbs kopshti im që e lashë në të ftohtë,
ktheva kokën dhe e pashë përsëri,
i bindur se një ditë prap këtu do të kthehem
kur të vijë pranvera e ngrica të shkrijë.

Këto rradhë ishin, detyrimi i një shoku të hershëm të rinisë i Tonin Shtjefnit, malli për të cilin me kalimin e viteve shtohet shumë. Vonesa nuk e dëmton kujtesën, veçse shton etjen e detyrimit, pasi asnjëherë nuk mbeti i harruar. Dhe pak ditë vjen 15 janari i vitit 2025, që është 76 vjetori i lindjes së Tonin Shtjefnit, këtij shkodrani që i dha nam të mirë vendlindjes.

Le të jetë ky shkrim dhurata më e prekshme, në sfondin e trishtimit për largimin herët nga kjo botë, i një shoku, i një miku të pastër, i një kolegu, që e mbështolli Tonin Shtjefnin, me pëlhurën e shndritshme të kujtimit dhe mos-harresës.
Dhe e mbyll këtë shkrim, me sentiment tejet të veçantë, me vargjet e Zeqir Lushajt, i cili edhe ky është ndarë nga jeta, me 10 nëntor 2021:
Më erdhi fjala jote,
Thuaj Zeqos:
-Eja më tako!
Nuk erdha Tonin,
Miku im i mirë i rinisë,
Të të shihja në çastet e fundit,
Në rrugën pa kthim ku ishe nisë!
Mos më qorto,
O Tonçe shkodrani,
Prap bashkë do të jemi,
Prap bashkë do të rrimë.
Në shenj autokritike ndaj teje,
Në të gjallë tim po të nisi letër,
Ta mbajë si mburojë spartane,
Ndaj “sulmeve” në botën tjetër.

Durrës: 11 janar 2025

 

Lexo më shumë nga

Investimi në lagjen “Kala”, Gonxhja: Krijojmë një qendër të jashtëzakonshme të kulturës dhe turizmit

Ministri i MEKI: Projekt me rëndësi të jashtëzakonshme për kulturën dhe zhvillimin ekonomik

Global 360

Armenia njeh pasaportat e Kosovës

Armenia nga sot njeh zyrtarisht të gjitha pasaportat e Kosovës, duke përfshirë ato të zakonshme, diplomatike dhe zyrtare.

Diplovista

Hetimet e SPAK-ut, Rama: I qetë e i vendosur që të vijojë beteja ndaj pandëshkueshmërisë

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, kryeministri bën një bilanc të zhvillimeve kryesore të vendit, që nga përparimi në…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Investimi në lagjen “Kala”, Gonxhja: Krijojmë një qendër të jashtëzakonshme të kulturës dhe turizmit

Ministri i MEKI: Projekt me rëndësi të jashtëzakonshme për kulturën dhe zhvillimin ekonomik