Rama: Për herë të parë ndajmë dy bonuse në vit për pensionistët, të tjerët ofrojnë qilima fluturues
Përmes rubrikës “Sy m’sy”, Kryeministri iu përgjigj përmes një videomesazhi një komentuesi, sipas së cilit kërkohet një vëmendje më e madhe për pensionistët.
Kryeministri Edi Rama solli sot në vëmendje disa fakte të rëndësishme të kujdesit të qeverisë ndaj pensionistëve, ndërsa u shpreh se për herë të parë do të ndahen dy bonuse në vit për ta.
Përmes rubrikës “Sy m’sy”, Kryeministri iu përgjigj përmes një videomesazhi një komentuesi, sipas së cilit kërkohet një vëmendje më e madhe për pensionistët.
“E mira s’ka fund dhe borxhi i kësaj shoqërie ndaj pensionistëve, qoftë atyre që jetuan diktaturën, qoftë atyre që jetuan rrumpallën pa shtet të viteve të tranzicionit, nuk lahet kurrë. Por nëse ka një qeveri që ka bërë dhe mund të bëjë akoma më shumë për pensionistët është vetëm kjo qeveri e Partisë Socialiste”, u shpreh Rama, përmes një videomesazhi.
Kryeministri solli në vëmendje se “ishte kjo qeveri që bëri reformën e pensioneve dhe mundësoi që kush ka dalë në pension 10 vitet e fundit të ketë një pension konsiderueshëm më të lartë se kush ka dalë më parë”.
“Është kjo qeveri që u dha pensionistëve pak javë më parë plot 100 milionë euro si bonus për Vitin e Ri dhe do t’u japë për herë të parë një bonus të dytë në pranverë, do të ndajë dy bonuse në vit”, shtoi Rama.
Kryeministri siguroi se “këto janë fakte kuptimplota të kujdesit të vazhdueshëm për pensionistët, me të cilët ne do të ndajmë në çdo hap pjesën e tyre të merituar nga rritja tanimë e pandalshme e ekonomisë”.
“Të tjerët, ata që s’kanë e nuk do të kenë asnjë gjë në dorë, që nga një katrani i madh pa din e pa iman, tek ca katranë të vegjël pa cipë dhe pa nishan, ofrojnë për pensionistët qilima fluturues, qilima si trashëgimtarë të denjë të politikës ekonomike të Sudes dhe të Xhaferrit. Por, mos ta harrojë askush se pensionistët, e para, nuk e harrojnë se kush e bëri Shqipërinë ‘lesh e li’; e dyta, e dinë aritmetikën më mirë se sa ‘Lulat’ e rinj; dhe e treta, e kanë më të qartë se askush tjetër që ne nuk jemi më të mirët, por më të mirë se ne ky vend as ka pasur, as nuk gjen dot edhe për nja 10 vjet të tjera njëherë, pa diskutim”, tha Rama.
Burimi ATSH