Vengu mbledh Emergjencat Civile në Vlorë: Masa për evitimin e situatave problematike nga reshjet
Mbrojtjes, Pirro Vengu zhvilloi sot një mbledhje me strukturat e Emergjencave Civile në Vlorë, ku u morën disa vendime të rëndësishme për të evituar situatat problematike në rastet e reshjeve të dendura në këtë qark.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu zhvilloi sot një mbledhje me strukturat e Emergjencave Civile në Vlorë, ku u morën disa vendime të rëndësishme për të evituar situatat problematike në rastet e reshjeve të dendura në këtë qark.
Në një prononcim për mediet pas mbledhjes, Vengu u shpreh se situata e fundit e krijuar nga reshjet është përballuar me sukses qoftë nga pikëpamja e stafit të bashkisë Vlorë, qoftë nga pikëpamja e bordeve të kullimit dhe të gjithë atyre që kanë mbështetur përpjekjet e bashkisë.
“Këtu përfshihet edhe brigada e Emergjencave Civile, e cila është angazhuar posaçërisht në Vlorë dhe në Tiranë gjatë këtyre 48 orëve. Është kryer një punë voluminoze, një pastrim domethënës i kanalit të madh që shtrihet nga Narta, deri në zonën e Burgut. Deri tani janë pastruar rreth 500 metra linearë dhe do të vijojmë të jemi të mobilizuar për të pastruar më shumë sipërfaqe, në mënyrë që situata të përmirësohet edhe në rastet e tjera të reshjeve që me siguri do të vazhdojnë gjatë këtij sezoni”, tha Vengu.
Ministri informoi se qeveria ka buxhetuar fondin duke siguruar financimin e nevojshëm për pastrimin e kanaleve të ujërave të larta.
“Bashkia do të nisë zbatimin e këtij projekti brenda këtij viti. Një vendim i dytë që kemi marrë është rehabilitimi i hidrovorit, duke ndjekur modelin e suksesshëm të hidrovorit të Akërnisë, i cili përballoi me sukses flukset e fundit. Edhe hidrovori i Vlorës do t’i nënshtrohet një ndërhyrje kapitale dhe për këtë po punojmë ngushtë me Ministrinë e Bujqësisë. Sot morëm vendimin që edhe këtë projekt ta çojmë për financim në qeveri”, bëri të ditur Vengu.
Burimi ATSH