Rama në Abu Dhabi: Shqipëria, në toplistën e vendeve europiane për energjinë e ripërtëritshme
Në fjalën e mbajtur në samitin global “Abu Dhabi Sustainability Week”, në Abu Dhabi, Kryeministri Rama vlerësoi veçanërisht mbështetjen e Emirateve të Bashkuara Arabe në fushën e energjisë.
Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot ndihmën e çmuar të Emirateve të Bashkuara Arabe në diversifikimin dhe transformimin e sektorit energjetik shqiptar.
Në fjalën e mbajtur në samitin global “Abu Dhabi Sustainability Week”, në Abu Dhabi, Kryeministri Rama vlerësoi veçanërisht mbështetjen e Emirateve të Bashkuara Arabe në fushën e energjisë.
Rama u shpreh se në këtë moment është e ardhmja e Shqipërisë që po formësohet nga çuarja përpara e energjisë së pastër dhe forcimi i partneriteteve ndërkombëtare, konkretisht me Emiratet e Bashkuara Arabe.
Kryeministri shprehu mirënjohjen për Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa shtoi se falë dijes së shkëlqyer që ata kanë për këtë çështje, Shqipëria po diversifikon dhe transformon sektorin energjetik.
Rama informoi se prodhimi i energjisë elektrike në Shqipëri është 100% nga burime të ripërtëritshme.
“Përqindja e energjisë së përtëritshme të Shqipërisë në kërkesën fundore për energji është 44%. Kjo e bën Shqipërinë të jetë në top listën e vendeve europiane dhe skandinave që janë në krye të listës, kur vjen fjala për përqindjen e energjisë së përtëritshme, pra masën e kësaj energjie në kërkesën fundore për energji”, tha Rama.