“Mbi 1 mld euro investime të reja nga Amerika dhe Evropa”, Rama: SHBA ka zgjedhur Shqipërinë për një financim në fushën e energjisë
Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se investimet e reja në Shqipëri kapin shifrën mbi 1 miliard euro në një vit dhe shumica dërrmuese vijnë nga investitorë nga Evropa dhe Amerika.
Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se investimet e reja në Shqipëri kapin shifrën mbi 1 miliard euro në një vit dhe shumica dërrmuese vijnë nga investitorë nga Evropa dhe Amerika.
Në rubrikën më të fundit të publikuar në rrjetet sociale ku i përgjigjet komenteve të ndjekësve, kryeministri Rama veçoi dy mesazhe: “Rama ka ngel veç me arab, pse nuk bën biznes me Evropën dhe Amerikën?” dhe “Ta kthej unë përgjigjen vëlla, sepse nuk duan, nuk kanë interes”.
“Nuk e di për kë e ka Fatosi që s’do, që s’ka interes për ne, për Evropën apo Amerikën, por për këdo ta ketë nuk ka diçka më larg të vërtetës. Duke filluar që nga marrëveshja e sotme ku ishim mes arabëve dhe italianëve. Italia është në Evropë, apo jo Simon, apo jo Fatos? E dini se sa biznes bëjnë investitorët e huaj në Shqipëri në një vit? Investime të reja mbi 1 miliard euro. E dini nga vijnë? Evropë dhe Amerikë shumica dërrmuese, mos të them të gjitha bashkë”, tha Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se “po ne, qeveria, sa e sa projekte bëjmë me financime të huaja dhe e dini se nga vijnë? Nga Evropa thuajse të gjitha dhe para pak ditësh qeveria amerikane na njoftoi se e ka përzgjedhur Shqipërinë për një financim të madh në fushën e energjisë, që janë fonde të qeverisë amerikane”.
“Kjo është e vërteta, por është po ashtu e vërtetë siç kemi çuar në një nivel komplet tjetër marrëdhëniet me Evropën dhe Amerikën. Kemi forcuar shumë edhe marrëdhëniet me vendet arabe, sidomos me Emiratet dhe Arabinë Saudite dhe po afrohemi ndjeshëm edhe me Katarin, është një marrëdhënie pozitive, me një potencial të jashtëzakonshëm dhe krejt të pashfrytëzuar në të kaluarën. Përparimet e këtyre vendeve janë kolosale në çdo aspekt”, tha Rama.
“Faleminderit që u bëtë sebep për këtë shkëmbim sy m’sy për këtë temë! Nuk ka nevojë të më doni për të marrë informacionet që ju duhen. Merrni informacionet, pastaj doni kë të doni”, përfundoi Rama.
Shqipëria, Emiratet Arabe dhe Italia u bashkuan sot në një aleancë strategjike për energjinë e rinovueshme. Në Abu-Dabi, Emiratet e Bashkuara Arabe, u nënshkrua sot marrëveshja e investimit për lidhjen nënujore të rrjetit të shpërndarjes së energjisë me Italinë në detin Adriatik, si edhe për investimet në rritjen e prodhimit nga burimet e rinovueshme në Shqipëri, ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë, qeverisë së Republikës së Italisë dhe qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe.
Burimi ATSH