Votimi nga jashtë, KQZ: Mbi 21 500 regjistrime, 5 195 kërkesa të miratuara
Numri më i lartë i kërkesave është regjistruar nga Italia me 6 619, e ndjekur nga Greqia me 4 926, Gjermania me 3 401 si dhe nga SHBA me 2 004.
Numri i regjistrimeve të votuesve nga jashtë, i cili për herë të parë u jep mundësinë shtetasve shqiptarë kudo që jetojnë që të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të cilat do të zhvillohen në 11 maj, ka arritur shifrën 21 649.
Sipas të dhënave të bëra publike nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), kërkesat për regjistrim janë 21 649 deri sot në orën (17:30), ndërsa janë miratuar 5 195 kërkesa.
Sipas gjinisë, në përqindjen më të lartë të regjistruesve janë meshkujt me 16 463 (66,8%) kërkesa, ndërsa femrat janë 7186 (33,2%).
Për sa i takon kërkesave për regjistrim sipas grup-moshave, numrin më të lartë të kërkesave e ka grup-mosha 26-35 vjeç me 6 645 kërkesa, më pas grup-mosha 36-45 vjeç me 5 950 kërkesa, nga grup-mosha 46-55 janë regjistruar 3 959 dhe mbi 56 vjeç janë 2 880 kërkesa për regjistrim.
Më të rinjtë, grup-mosha 18-25 vjeç, kanë numrin më të vogël të kërkesave, me 2 215 të tilla.
Sipas të dhënave janë refuzuar 2 541 kërkesa.
Kërkesat për regjistrime janë nga vende të ndryshme të botës. Numri më i lartë i kërkesave është regjistruar nga Italia me 6 619, e ndjekur nga Greqia me 4 926, Gjermania me 3 401 si dhe nga SHBA me 2 004. Sa i takon kërkesave sipas bashkive, numri më i lartë i aplikimeve është për Tiranën me 4 932, më pas bashkia e Fierit me 3 682, Korça me 2 371, Durrësi me 1 863 etj.
Burimi ATSH