Vila e ish-diktatorit kthehet në rezidencë artistike, Gonxhja: Hotspot i ri në kryeqytet
Ministri i MEKI: Qeveria do të rrisë mbështetjen për artistët, qendrat, shoqatat dhe fondacionet që zhvillojnë artin
Ministri për Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin Blendi Gonxhja siguroi sot se qeveria do të rrisë mbështetjen për artistët, qendrat, shoqatat dhe fondacionet që zhvillojnë artin.
Në ceremoninë e hapjes së rezidencës artistike, “Vila 31 x Art Explora”, Gonxhja tha se për të rritur këtë mbështetje, qeveria ka rikonceptuar edhe thirrjet dhe grantet për vitin 2025.
Ai vlerësoi rolin që pritet të ketë në jetën artistike të kryeqytetit hapja e “Art Explora” ndërsa siguroi po ashtu mbështetje për ta bërë të suksesshëm këtë projekt.
“Ekipi jonë i MEKI-t së bashku me atë të “Art Explora” do të bëjnë gjithçka është e mundur për pasurimin e kalendarit vjetor.
“Art Explora”, një hotspot i ri në kryeqytet, theksoi ministri, vjen në momentin e duhur, duke gjetur qeverisjen qendrore më gati për të mbështetur artin.
Nga ana tjetër, ministri e vuri theksin te nevoja e ngritjes së kapaciteteve sa i takon menaxhimit të strukturave të artit.
Sipas tij, Shqipëria ka shkolla që kanë edukuar breza të tërë artistësh, por nuk ka ende klasa apo kurse që zhvillojnë menaxhimin në këtë drejtim.
“Është kjo një sfidë e re, ku nga një anë artistët do të mundohen të trembin fantazmën e Enverit, ndërsa ne do ta thyejmë atë me art, dialog, demokraci, gjithëpërfshirje, me një aspekt tjetër të Shqipërisë, e cila po integrohet tashmë në Europë, jo vetëm me ligje apo në tregun ekonomik, por edhe me jetën krijuese dhe aspektin njerëzor”, tha Gonxhja.