Bruci: Interes i lartë i diasporës për të votuar
Shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit mund të regjistrohen përmes Platformës Elektronike të Regjistrimit (PER).
Sekretarja për Diasporën në Partinë Socialiste, Zerina Bruci bëri të ditur sot se “deri tani mbi 22 mijë shqiptarë që jetojnë jashtë janë regjistruar për të votuar në zgjedhjet e 11 majit 2025”.
Në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, Bruci informoi mbi ecurinë e deritanishme të procesit të regjistrimit të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit në zgjedhjet e 11 majit 2025.
Bruci bëri të ditur se deri tani, në sistemin PER të KQZ-së janë regjistruar 22 mijë kërkesa dhe janë miratuar mbi 5000 kërkesa.
Sekretarja për Diasporën në PS bëri të ditur po ashtu se shtetet kryesore prej të cilave ka më tepër regjistrime janë Italia, Greqia, Gjermania, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe.
E pyetur mbi qarqet me numrin më të lartë të regjistrimeve, Bruci informoi se janë qarqet e Tiranës, Fierit, Korçës, Durrësit dhe Beratit.
Megjithatë, Bruci nënvizoi se “duke mbajtur në vëmendje që procesi i regjistrimit ka vetëm pesë ditë që është hapur, ende është herët për të analizuar statistikat”.
Sipas Brucit, “procesi i regjistrimit ka pasur ecuri pozitive, si tregues i interesit shumë të lartë të diasporës për të qenë pjesë e procesit të qeverisjes së vendit”.
Në këtë kuptim, ajo vlerësoi se një ndihmë domethënëse ka qenë edhe sistemi PER i përgatitur nga KQZ, i cili mundëson një regjistrim të lehtë dhe të sigurt.
“PER kërkon minimalen e dokumenteve për verifikimin e identitetit dhe deklarimin e adresës së banesës, ku do të pritet edhe zarfi me fletën e votës”, shtoi ajo.
Në 11 janar filloi procesi i regjistrimit të votuesve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, për zgjedhjet e 11 majit, proces i cili vazhdon deri në 4 mars.
Shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit mund të regjistrohen përmes Platformës Elektronike të Regjistrimit (PER).
Burimi ATSH