Analisti i CNN-it: Kinezët janë shumë më strategjikë
“Kina është e nxitur nga një dëshirë për paqe, qëndrueshmëri e integrim global dhe nuk ka asnjë qëllim për të minuar sistemin ekzistues ndërkombëtar, por politika e ShBA-së ndaj Kinës duket tepër kundërvënëse. Nëse ShBA-ja do të kishte mbajtur një qëndrim më bashkëpunues, rezultati mund të kishte qenë ndryshe”, është shprehur një analist i njohur politik amerikan për revistën amerikane “Foreign Policy”.
Fareed Zakaria është drejtues i emisionit “GPS” të CNN-it dhe autori i librave “Bota pasamerikane”, “E ardhmja e lirisë”, “Epokë revolucionesh” etj. Ai e filloi intervistën me zgjedhjet e vitit 2024 në ShBA, duke theksuar se rritja e populizmit amerikan dhe shqetësimi, madje edhe zemërimi në shoqërinë perëndimore, nuk janë dukuri të përkohshme.
Rizgjedhja e Trump-it i dërgoi një sinjal të qartë botës – fitorja e tij e vitit 2016 nuk ishte një rastësi, por një dukuri që është bërë pjesë integrale e peizazhit politik perëndimor, tha Zakaria, duke shtuar se Partia Republikane tradicionale nuk ekziston më; ajo është zëvendësuar nga një parti populiste, Parti Republikane “Amerika e Para”.
Fareed Zakaria /CNN
“Zhvillimi i Kinës ka përfituar kryesisht nga paqja, globalizimi dhe qëndrueshmëria”, vuri në dukje analisti, duke shtuar se disa retorika dhe veprime kundër Kinës në qarqet politike amerikane, si ndalimi i eksportit të mikroçipave, janë zbatuar në mënyrë tepër kundërvënëse dhe kjo shërben si një mësim për demokratët.
Zakaria argumenton se, që nga Lufta e Vietnamit, demokratët shpesh kanë qenë të preokupuar që të mos duken të dobët në sytë e së djathtës, duke çuar në vendime të gabuara, dhe tani e njëjta çështje është shfaqur në politikën amerikane ndaj Kinës. Ai shprehu dyshimin nëse zyrtarët e lartë të ShBA-së vërtet mbështesin qëndimin e tanishëm ekstrem, të vijës së ashpër dhe kundërshtues ndaj Kinës.
Zakaria iu referua dialogut strategjik të nivelit të lartë ShBA-Kinë të vitit 2021 të mbajtur në Anchorage të Alaskës. Ai vuri në dukje se gjatë takimit, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, në thelb po i lexonte ministrit të Jashtëm kinez një skenar për të drejtat e njeriut. Megjithatë, në katër vjetët e mëvonshëm, Shtetet e Bashkuara nuk arritën të ndërmerrnin veprime thelbësore. Dialogu, sugjeroi ai, ishte më shumë si një shfaqje teatrale.
Për çështjet e bashkëpunimit ekonomik dhe heqjes së tarifave shtesë ndaj Kinës, qeveria amerikane zgjodhi të mbajë një qëndrim “të presim e të shohim”, theksoi analisti i CNN-it. Ata duhet të kishin vepruar me vendosmëri, sepse, pavarësisht se çfarë do të bënin, republikanët do t’i akuzonin se ishin të dobët dhe kompromentues, shtoi ai.
Delegacioni amerikan në takimin me palën kineze, Anchorage, Alaskë, ShBA, 2021/VCG
Nëse ShBA-ja do të kishte ndjekur një qëndrim më bashkëpunues gjatë dialogut në Alaskë, rezultati mund të kishte qenë i ndryshëm, tha ai, duke shtuar se ky qëndrim është formësuar gradualisht këtë vit, por ka kërkuar një kohë të gjatë dhe ky proces ka shkaktuar dëme të ndjeshme.
Zakaria komentoi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara duhet t’i marrin seriozisht vendet e BRICS-it, pasi ato përfaqësojnë pakënaqësinë e fuqive të mëdha në disa rajone të rëndësishme të botës ndaj rendit ekzistues global, veçanërisht dominimit të ShBA-së dhe aleatëve të saj perëndimorë. Këto vende po bëhen gjithnjë e më të vendosura dhe politika e jashtme amerikane duhet t’i kushtojë vëmendje këtij ndryshimi, tha ai.
Duke përmbledhur situatën aktuale globale, Zakaria vuri në dukje se “kinezët janë shumë më strategjikë”. Kina po mbledh ngadalë forcë dhe po ndërton marrëdhënie, duke zëvendësuar gradualisht ShBA-në si forcë dominuese në Azinë Lindore, shtoi ai.
Burimi CGTN