CMG-ja: Ka ardhur koha për ta parë me sytë hapur Kinën e vërtetë
Ditët e fundit, aplikacioni kinez “Xiaohongshu” (“Blloku i kuq” ose “RedNote” në gjuhën angleze) po përhapet gjerësisht në Shtetet e Bashkuara.
Shumë përdorues amerikanë po postojnë në aplikacionin kinez Xiaohongshu/VCGDitët e fundit, aplikacioni kinez “Xiaohongshu” (“Blloku i kuq” ose “RedNote” në gjuhën angleze) po përhapet gjerësisht në Shtetet e Bashkuara.
Ky aplikacion social kinez u rendit në vendin e parë të listës së shkarkimeve të programeve falas në “App Store” të “Apple”-it në Amerikën e Veriut. Të dhënat tregojnë se nga 8 janari deri më 14 janar, shkarkimi i këtij aplikacioni në Shtetet e Bashkuara u rrit më shumë se 20 herë krahasuar me shtatë ditët e mëparshme dhe më shumë se 30 herë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Nga kafshët shtëpiake, veshjet dhe ushqimi deri te temat me një gamë më të gjerë, përdoruesit amerikanë po komunikojnë shumë shpesh me ata kinezë nëpërmjet shkëmbimeve në rrjetet sociale.
“Përse ky popullaritet?”, pyet Grupi Mediatik i Kinës në një koment të vetin. Arsyeja është se, mbi bazën e politikës së ShBA-së “ndalim ose shitje”, versioni ndërkombëtar i aplikacionit kinez “TikTok” mund të ndalohet pas datës 19 janar, gjë që ka bërë miliona përdorues amerikanë t’i drejtohen një tjetër aplikacioni, “Xiaohongshu”-së, për të gjetur “strehë të re”. Ata e quajnë veten “refugjatë të ‘TikTok’-ut”. Nga ana tjetër, sasia e madhe e përmbajtjeve interesante dhe ndërveprimet për temat e ndryshme në “Xiaohongshu” kanë tërhequr vëmendjen e madhe të përdoruesve amerikanë. Disa njerëz lanë komente, duke thënë që nuk mund ta kuptonin përse qeveria amerikane po bërtiste se “TikTok”-u ishte kërcënim për sigurinë kombëtare dhe duke shprehur shpresën që “Xiaohongshu” mund të bëhej një thesar i “komunikimit ndërkulturor”.
“Refugjatë të Tiktok-ut” komunikojnë me përdorues kinezë në Xiaohongshu/VCG
Sipas komentit të CMG-së, popullariteti i “Xiaohongshu”-së në Shtetet e Bashkuara tregon gjithashtu që, pavarësisht se sa përpiqen disa politikanë amerikanë ta shtypin dhe frenojnë zhvillimin e Kinës, ose të shpifin e ta njollosin imazhin e Kinës, dëshira për shkëmbime të tilla mes njerëzve nuk mund të bllokohet.
Në fakt, kur u hedh një vështrim marrëdhënieve kino-amerikane, gjen shumë histori interesante të shkëmbimeve ndërmjet të dy popujve. Nga pilotët vullnetarë amerikanë, ose “Tigrat Fluturues”, që mbështetën popullin kinez në Luftën e Dytë Botërore, te historia e lidhjes së familjeve amerikane me qytezën Guliang në provincën Fujian të Kinës Juglindore, të gjitha këto kanë vërtetuar se, pavarësisht dallimeve ndërmjet Kinës dhe Shteteve të Bashkuara në histori, kulturë dhe sistemin politik, popujt e të dy vendeve kanë ndjenja miqësore ndaj njëri-tjetrit, gjë që është çelësi i zhvillimit afatgjatë dhe të qëndrueshëm të marrëdhënieve dypalëshe.
Në vitet e fundit, shkëmbimet kulturore Kinë-ShBA kanë hasur vështirësi. Disa njerëz në Shtetet e Bashkuara janë gjithnjë e më të shqetësuar për zhvillimin e Kinës dhe gabimisht e konsiderojnë Kinën si “konkurrenten më të madhe strategjike”. Nga thirrjet për “shkëputje” deri te ndërtimi i “oborreve të vogla me mure të larta”, përpjekjet e tyre e kanë bërë frenimin dhe shtypjen e Kinës një qëndrim “politikisht korrekt” në politikën amerikane. Disa politikanë dhe media antikineze madje duan të ringjallin makartizmin dhe të zbatojnë “Planin e veprimit kundër Kinës”, duke ngacmuar pa arsye studentët kinezë që studiojnë në ShBA, gjë që hedh hije mbi shkëmbimet njerëzore midis dy vendeve.
“Refugjat i Tiktok-ut” poston në Xiaohongshu dhe ndërvepron me përdorues kinez/VCG
Nëntorin e kaluar, gjatë samitit Kinë-ShBA në Lima të Perusë, presidenti kinez Xi Jinping përgjithësoi shtatë mësimet e nxjerra nga zhvillimi i marrëdhënieve dypalëshe në katër vjetët fundit, duke përfshirë shtimin e dialogut dhe bashkëpunimin, përgjigjen ndaj shpresës së popujve për shtimin e shkëmbimeve kulturore-njerëzore dhe shmangien e pengesave e të ndërhyrjeve, duke mos krijuar artificialisht të ashtuquajturin “efekt drithërues”.
Tani, me përpjekjet e përbashkëta të dy palëve, shkëmbimet dhe bashkëpunimi në disa fusha ndërmjet të dy vendeve janë stabilizuar dhe rimëkëmbur. Në vitin 2024, 15 000 të rinj nga të 50 shtetet amerikane shkuan në Kinë për shkëmbime ose studime, duke tejkaluar objektivin e vitit të parë të nismës së presidentit Xi Jinping për të ftuar “50 000 të rinj amerikanë në Kinë për pesë vjet”.
Ndërsa Kina po merr më shumë masa për lehtësimin e vizitave të të huajve, shumë blogerë amerikanë po udhëtojnë në Kinë. “Unë pashë një Kinë moderne, të mrekullueshme e të gjallë”; “Ishte krejtësisht ndryshe nga ajo që përshkruajnë mediat perëndimore” … ata u tregojnë ndjekësve të tyre në ShBA për ushqimet e shijshme, peizazhet e bukura dhe përvojat interesante vetjake gjatë vizitës në Kinë, duke i njohur me Kinën e vërtetë.
Popujt e të dy vendeve kanë demonstruar edhe një herë me veprimet e tyre se dera e marrëdhënieve Kinë-ShBA është hapur nga popujt e të dy vendeve dhe nuk do të mbyllet më kurrë.
Pas pak ditësh, qeveria e re amerikane do të marrë zyrtarisht detyrën. “Shpresojmë që vendimmarrësit në ShBA do të dëgjojnë dëshirën e vërtetë të të dy popujve për komunikim dhe miqësi, duke punuar së bashku me Kinën ‘për të ndërtuar ura’ dhe ‘për të shtruar rrugën’ për shkëmbimet njerëzore, duke nxitur stabilizimin, përmirësimin dhe ecjen përpara të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve,” përfundon komenti i CMG-së.
Burimi CGTN