Rama merr pjesë në takimin vjetor të Forumit Ekonomik Botëror 2025 në Davos
Takimi i 55-të Vjetor i Forumit Ekonomik Botëror mblidhet nën temën “Bashkëpunimi për Epokën Inteligjente”
Kryeministri Edi Rama nis sot një seri takimesh dhe aktivitetesh në kuadër të pjesëmarrjes në Forumin Ekonomik Botëror 2025, i cili mbahet në Davos – Klosters, në Zvicër.
Së bashku me liderë nga vende të tjera të botës, kryeministri Edi Rama është pjesëmarrës në disa tryeza të rrumbullakëta, si dhe panelist në sesione të ndryshme që synojnë të nxisin një frymë bashkëpunimi dhe optimizmi konstruktiv me objektivin e formësimit të Epokës Inteligjente të ardhshme, në një mënyrë më të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse
Kryeministri gjithashtu do të takohet përgjatë tre ditëve të Forumit me homologë, liderë të biznesit, drejtues të organizatave të ndryshme ndërkombëtare dhe personalitete të tjera pjesëmarrëse në Forum.
Takimi Vjetor 2025 mbledh liderët globalë për të adresuar sfidat kryesore globale dhe rajonale. Këto përfshijnë reagimin ndaj goditjeve gjeopolitike, stimulimin e rritjes për të përmirësuar standardet e jetesës dhe administrimin e një tranzicioni të drejtë dhe gjithëpërfshirës të energjisë.
Me misionin “Ne bashkojmë qeverinë, bizneset dhe shoqërinë civile për të përmirësuar gjendjen e botës” – këtë vit Forumi bën bashkë rreth 3000 liderë, nga mbi 130 vende, mes të cilëve, 350 liderë qeveritarë, duke përfshirë 60 kryetarë shtetesh dhe qeverish për të adresuar sfidat kryesore globale dhe rajonale.
Takimi i 55-të Vjetor i Forumit Ekonomik Botëror mblidhet nën temën “Bashkëpunimi për Epokën Inteligjente”, me diskutime që fokusohen në pesë shtylla thelbësore, të ndërlidhura, me rëndësi të posaçme për një të ardhme të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse dhe të begatë. /RTSH/