Kompensim pronarëve të prekur nga rikualifikimi urban i një zone në Tiranë
Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
Këshilli i Ministrave vendosi sot shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rikualifikimi urban i bllokut “Lord Bajroni” – “Riza Cuka” – “Pandi Dardha” – “Dritan Hoxha”, bashkia Tiranë”.
Në vendimin e qeverisë të miratuar në mbledhjen e sotme theksohet se shpronësimi bëhet në favor të bashkisë Tiranë dhe pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen me një vlerë të përgjithshme prej 14 840 576lekë.
Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 14 840 576 lekësh përballohet nga buxheti i bashkisë Tiranë.
Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 lekë, përballohet nga buxheti i bashkisë Tiranë.
Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Tiranë.
Bashkia Tiranë kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Tiranë.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Tirana Veri, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Tiranë për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të bBashkisë Tiranë për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Tiranë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tirana Veri, dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
Burimi ATSH