Programi “Arte dhe Zeje”, Muzhaqi: Po zbatohet në 200 shkolla të vendit
Për vitin 2025 parashikohet që këtë program të shtrijmë edhe në 100 shkolla të tjera dhe deri në 2027 edhe në 400 shkolla
Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi vizitoi sot shkollën e Marqinetit në Vorë, e cila është përfshirë prej disa muajsh në programin “Arte dhe Zeje”.
Ministrja Muzhaqi, shprehet se, “fëmijët e kësaj shkolle, kanë shfaqur talent në luajtjen e instrumenteve si flauti, pikturë si edhe punime të ndryshme artistike me motive të identitetit kombëtar”.
Sipas ministres Muzhaqi, “ky program, i cili zbatohet në 200 shkolla në të gjithë vendin, po jep çdo ditë e më shumë rezultate, duke zhvilluar krijimtarinë e fëmijëve”.
Programi “Arte dhe Zeje” ka për qëllim inkurajimin e mësimit të punimeve të artit dhe atyre artizanale përmes veprimtarive praktike, nxitjen e aftësive sipërmarrëse të nxënësve në perspektivën e ruajtjes dhe të promovimit të vlerave të komunitetit ku jetojnë, si dhe të trashëgimisë sonë kulturore në pikturë, vegla muzikore, zeje, teatër, sport, teknologji, etj.
Për vitin 2025 parashikohet që këtë program të shtrijmë edhe në 100 shkolla të tjera dhe deri në 2027 edhe në 400 shkolla. “Arte dhe Zeje” është një program që jo vetëm përgatit të rinjtë për të ardhmen, por edhe kontribuon në ruajtjen e vlerave dhe traditave shqiptare, të cilat duhet të trashëgohen brez pas brezi.