Gilpin: 40 profesionistë nga e gjithë bota do të trajnojnë kineastët shqiptarë
Në prezantimin e Qendrës Trajnuese Kreative ishte i pranishëm edhe Drejtori Ekzekutiv i Catalyst Story Institute, Philip Gilpin Jr.
Në prezantimin e Qendrës Trajnuese Kreative ishte i pranishëm edhe Drejtori Ekzekutiv i Catalyst Story Institute, Philip Gilpin Jr.
Ceo i Catalyst u shpreh se, kjo qendër trajnimi është realiteti i një vizioni që ka kohë që farkëtohet.
“Ka qenë një udhëtim i gjatë i Catalyst prej 20 vjetësh për të arritur në këtë pikë. Shqipëria ka të gjitha burimet natyrore, talentet, për të qenë nyje nevralgjike kulturore e industrisë kinematografike ndërkombëtare”, u shpreh Gilpin.
CEO i Catalyst shpjegoi se ajo çka e bën interesante këtë industri është fakti se kinematografia dhe televizioni nuk janë forma arti individual. Ato janë punë në grup dhe për të punuar në këtë industri, për ta kthyer një skenar në video, duhet një skuadër punonjësish që kanë nevojë për trajnim.
“Prandaj punohet si skuadër. Për të mësuar shprehi pune. Dhe kjo kërkon një qendër trajnimi, një shtëpi për artistët, prandaj është entuziazmues realizimi i kësaj qendre”, tha Gilpin.
Sipas tij, prapa kuintave qëndron puna e rreth 180 llojeve të ndryshme të profesioneve si elektriçistë, parukierë, marangozë etj.
Gilpin falenderoi autoritetet shqiptare për mbështetjen e tyre të rëndësishme për të hapur një qendër trajnimi gjithëpërfshirëse si kjo, ku do të përfshihen 40 profesionistë të mirënjohur nga e gjithë bota, të cilët kanë rënë dakord të japin përvojën e tyre në Tiranë.
Burimi ATSH