Rama: Miratojmë parkun Teknologjik në Tiranë, hapësirë me legjislacion të posaçëm për startup-et
Parku Teknologjik në Tiranë do të jetë një hapësirë e re me një legjislacion të posaçëm që do të mundësojë tërheqjen e shumë kompanive dhe startup-eve për të zhvilluar aktivitetin e tyre në këtë territor.
Parku Teknologjik në Tiranë do të jetë një hapësirë e re me një legjislacion të posaçëm që do të mundësojë tërheqjen e shumë kompanive dhe startup-eve për të zhvilluar aktivitetin e tyre në këtë territor.
Në aktivitetin e organizuar në Institutin “Harru Fultz”, Kryeministri Edi Rama njoftoi se në mbledhjen e sotme të qeverisë do të miratohet vendimi për këtë park.
“Një nga vendimet që kemi sot në mbledhjen e qeverisë është përfundimi i procesit për Parkun e madh Teknologjik, një hapësirë e re me një legjislacion të posaçëm që do të mundësojë tërheqjen e shumë kompanive dhe startup-eve për të zhvilluar aktivitetin e tyre në territorin e atij parku”, u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi se ky park do t’i krijojë një horizont të ri të gjithë atyre që do të kryejnë studimet në Institutin e Teknologjisë Rochester (RIT), apo ata që mbarojnë studimet në Institutin “Harry Fultz”.
“Ashtu sikundër në qendër të Vlorës, një godinë dikur e papërdorur do të transformohet në një hapësirë që do të vihet në funksion të teknologjisë. Me fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim do të hapim po ashtu në shtator shkollën ekselente franceze në fushën e teknologjisë me studime më të avancuara, me metodologji inovative. Paralelisht me të edhe Liceun Francez për teknologjinë në Korçë”, informoi Rama.
Kryeministri vlerësoi kontributin e posaçëm të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim në këtë drejtim, ndërsa u shpreh se kontributi i këtij fondacioni për teknologjinë nuk është bërë shumë publik.
“Fondacionin ju e njihni si fondacioni që grabiti Butrintin. Besoj e keni dëgjuar se Butrinti është grabitur, janë marrë të gjithë gurët e vjetër, është ngritur në hava gjithë zona dhe e kanë çuar diku. Por nuk është bërë shumë publike ajo që bën Fondacioni për teknologjinë. Tek Piramida zhvillohet një praktikë e jashtëzakonshme e futjes së fëmijëve në teknologji me programe të jashtëzakonshme dhe me një sukses të jashtëzakonshëm. Është një program edhe ky i marrë nga jashtë që zbatohet 100% edhe këtu në Shqipëri, programi i qendrës Tumo. Aty pranimet bëhen falas pikërisht se ka një marrëveshje bashkëpunimi mes fondacionit dhe bashkisë së Tiranës”, tha Rama.
Burimi ATSH