Britania i dhuron pajisje 30,000 paund Policisë Kufitare për luftën kundër krimit
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda priti në takim Menaxherin Rajonal të Zyrës së Operacioneve Ndërkombëtare të Ministrisë së Brendshme Britanike, Ian Byrne, dhe Menaxherin Rajonal të Agjencisë kundër Krimit, Andrew Clowes.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda priti në takim Menaxherin Rajonal të Zyrës së Operacioneve Ndërkombëtare të Ministrisë së Brendshme Britanike, Ian Byrne, dhe Menaxherin Rajonal të Agjencisë kundër Krimit, Andrew Clowes.
Gjatë takimit, Proda vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer me agjencitë ligjzbatuese britanike në shumë aspekte të fushave të policimit dhe falënderoi për mbështetjen që këto agjenci, Ministria e Brendshme dhe Qeveria Britanike, kanë dhënë për Policinë e Shtetit shqiptar, si në forcimin e kapaciteteve profesionale, ashtu edhe në drejtim të përmirësimit të kapaciteteve logjistike.
Një tregues i qartë i kësaj mbështetjeje është edhe dhurimi i pajisjeve me vlerë rreth 30 000 paund, për Departamentin për Kufirin dhe Migracionin, të cilat u dorëzuan gjatë takimit të zhvilluar.
Departamenti i Operacioneve Ndërkombëtare pranë Ministrisë së Brendshme të Britanisë së Madhe i dhuroi Departamentit për Kufirin dhe Migracionin të Policisë së Shtetit shqiptar, pajisje me vlerë rreth 30 000 paund, për të forcuar luftën kundër krimit të organizuar, si në territorin e brendshëm, ashtu dhe në pikat kufitare të Shqipërisë.
Ian Byrne evidentoi rezultatet shumë të mira të arritura në kuadër të Task Forcës së përbashkët kundër Migracionit, si edhe falënderoi Policinë e Shtetit, për operacionet e përbashkëta mjaft të suksesshme të zhvilluara. Gjithashtu, rikonfirmoi vullnetin për vijimin e këtij bashkëpunimi dhe të mbështetjes britanike për Policinë Shqiptare. Në vazhdën e mbështetjes pritet të fillojë puna për ndërtimin e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Tiranë, si edhe pritet të dorëzohen disa dronë për Departamentin për Policinë Kriminale.
Menaxheri Rajonal i Agjencisë kundër Krimit, Andrew Clowes, vlerësoi bashkëpunimin mes palëve në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar dhe shprehu gatishmërinë e tij për të mbështetur Policinë shqiptare, për një shkëmbim në kohë reale të informacionit, në interes të garantimit të sigurisë për qytetarët e të dyja vendeve.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit i ka siguruar dy përfaqësuesit britanikë, për forcimin e këtij bashkëpunimi, dhe ka konfirmuar edhe një herë se Policia e Shtetit është shumë e vendosur për të punuar me partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, për të luftuar krimin e organizuar dhe migracionin e paligjshëm.
Burimi ATSH