Begaj letër Kushtetueses: Sqaroni skemën e ripërtëritjes së trupës gjyqësore
Presidenti Bajram Begaj i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë, ku kërkon një sqarim mbi skemën që do të ndiqet për ripërtëritjen e mandateve të anëtarëve të saj.
Presidenti Bajram Begaj i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë, ku kërkon një sqarim mbi skemën që do të ndiqet për ripërtëritjen e mandateve të anëtarëve të saj.
Begaj sjell në vëmendje rastin e mandatit të Kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, për të cilën Gjykata Kushtetuese mori vendimin për mbarimin e mandatit të saj.
Begaj thekson se ajo u emërua në “detyrën e Gjyqtarit Kushtetues në janar të vitit 2023, me një vonesë prej gati 6 vitesh nga momenti i krijimit të vakancës, shkaktuar nga rrethana të njohura dhe të pavarura prej saj”.
Begaj vë në dukje se, ashtu si Zaçaj, me vonesë e kanë nisur detyrën edhe anëtarët e tjerë të Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar sqarim se përse nuk zbatohet i njëjti parim për gjyqtarët e tjerë.
Presidenti shpjegon më tej në kërkesën e tij se “emërimi me vonesë i të cilëve prish mekanizimin për përtëritjen e trupës”.
“Ligji për Gjykatën Kushtetuese përcakton se mandati i Gjyqtarit Kushtetues fillon në datën e kryerjes së betimit dhe mbaron, për gjyqtarët fillestarë, sipas rastit, tetë ose nëntë vjet më pas. Në kushtet e emërimit me vonesë të gjyqtarëve fillestarë, zbatimi i kësaj dispozite e asgjëson parimin e përtëritjes së pjesshme, si në vitin 2025, ashtu dhe në vitin 2028 apo në vitin 2031.
Në rastin e gjyqtares Zaçaj, Gjykata e ka gjetur zgjidhjen, duke lidhur fillimin e mandatit me datën kur ka përfunduar mandati i anëtarit pararendës të Gjykatës Kushtetuese dhe mbarimin e mandatit me afatin për përtëritjen e pjesshme të organit. Por, Gjykata nuk është shprehur nëse kjo zgjidhje vlen edhe për gjyqtarët e tjerë kushtetues, emërimi me vonesë i të cilëve prish mekanizimin për përtëritjen e trupës.
Përtëritja e pjesshme përfshin njëkohësisht tre mandate specifike. Që të ndodhë përtëritja e synuar nga Gjykata Kushtetuese për vitin 2025, duhet që arsyetimi i Gjykatës për përtëritjen të shtrihej edhe mbi dy mandatet e tjera që përkojnë me afatin e përtëritjes”, shkruan në kërkesën e tij Kreu i Shtetit.
Begaj, duke marrë shkas nga lart kërkon nga Gjykata Kushtetuese, që të sqarojë mekanizmin e ripërtëritjes së mandateve pasi në të kundërt sipas tij “nuk do ketë asnjë mundësi që të ndreqet deformimi i mekanizmit të përtëritjes”
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk e qartëson këtë aspekt, ndërkohë që afati për deklarimin e mbarimit të këtyre mandateve është ezauruar nga Gjykata pa veprime, duke vendosur në vështirësi organet e emërtesës,” shkruan Begaj.
Begaj thekson se përtëritja e pjesshme përfshin njëkohësisht tre mandate specifike. Që të ndodhë përtëritja e synuar nga Gjykata Kushtetuese për vitin 2025, sipas Presidentit, duhet që arsyetimi i Gjykatës për përtëritjen të shtrihej edhe mbi dy mandatet e tjera, që përkojnë me afatin e përtëritjes.
Kërkesa drejtuar Gjykatës Kushtetuese
Gjykata Kushtetuese ka marrë në datën 23.12.2024 vendimin për deklarimin e mbarimit të mandatit për Gjyqtaren Kushtetuese, Holta Zaçaj, me qëllimin për të mbrojtur dhe për të bërë të mundur përtëritjen e pjesshme të Gjykatës në intervale 3-vjeçare, sikurse kërkohet nga Kushtetuta.
Gjyqtarja Zaçaj u emërua në detyrën e Gjyqtarit Kushtetues në janar të vitit 2023, me një vonesë prej gati 6 vitesh nga momenti i krijimit të vakancës, shkaktuar nga rrethana të njohura dhe të pavarura prej saj.
Me vonesë nga momenti i krijimit të vakancës janë emëruar të gjithë gjyqtarët kushtetues pas vitit 2016, deri më sot.
Ligji për Gjykatën Kushtetuese përcakton se mandati i Gjyqtarit Kushtetues fillon në datën e kryerjes së betimit dhe mbaron, për gjyqtarët fillestarë, sipas rastit, tetë ose nëntë vjet më pas. Në kushtet e emërimit me vonesë të gjyqtarëve fillestarë, zbatimi i kësaj dispozite e asgjëson parimin e përtëritjes së pjesshme, si në vitin 2025, ashtu dhe në vitin 2028 apo në vitin 2031.
Në rastin e gjyqtares Zaçaj, Gjykata e ka gjetur zgjidhjen, duke lidhur fillimin e mandatit me datën kur ka përfunduar mandati i anëtarit pararendës të Gjykatës Kushtetuese dhe mbarimin e mandatit me afatin për përtëritjen e pjesshme të organit. Por, Gjykata nuk është shprehur nëse kjo zgjidhje vlen edhe për gjyqtarët e tjerë kushtetues, emërimi me vonesë i të cilëve prish mekanizimin për përtëritjen e trupës.
Përtëritja e pjesshme përfshin njëkohësisht tre mandate specifike. Që të ndodhë përtëritja e synuar nga Gjykata Kushtetuese për vitin 2025, duhet që arsyetimi i Gjykatës për përtëritjen të shtrihej edhe mbi dy mandatet e tjera që përkojnë me afatin e përtëritjes.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk e qartëson këtë aspekt, ndërkohë që afati për deklarimin e mbarimit të këtyre mandateve është ezauruar nga Gjykata pa veprime, duke vendosur në vështirësi organet e emërtesës.
Gjykata Kushtetuese ka patur detyrimin për të krijuar qartësi të plotë rreth vendimmarrjes së saj, sikundër duhet të ishte zbatuesi i parë, i devotshëm dhe korrekt i vendimeve të veta. Në fakt, Gjykata ka preferuar që këtë përgjegjësi ta transferojë tek institucionet e tjera.
Në kushtet e mosveprimit të Gjykatës, Presidenti i Republikës ka shfrytëzuar mundësinë e vetme që i njeh ligji, mundësinë e depozitimit të një kërkese për mosmarrëveshje kompetence, për të bërë që Gjykata Kushtetuese të zgjidhë në mënyrë të drejtë, gjithëpërfshirëse, kushtetuese dhe shteruese ngërçin e krijuar me mekanizmin e përtëritjes së pjesshme.
Presidenti i Republikës shpreson se në këtë mënyrë Gjykata Kushtetuese do të mund të sqarojë në mënyrë të plotë dhe përfundimtare se si duhet të jetë përtëritja e pjesshme e Gjykatës, që ajo të konsiderohet në përputhje me Kushtetutën.
“Gjykata Kushtetuese duhet ta bëjë këtë sqarim, në mënyrë të tillë që të ketë vlerë për të gjithë gjyqtarët kushtetues aktualë, përndryshe nuk do ketë asnjë mundësi që të ndreqet deformimi i mekanizmit të përtëritjes dhe çdo ndërhyrje për shkurtimin e mandateve të caktuara, vetëm për një ose disa gjyqtarë, do të ishte në shkelje të hapur të Kushtetutës,” thuhet në deklaratën e Presidencës.
Burimi ATSH