Kisha e Shën Athanasit, monument kulture nga më të vizituarit e Voskopojës
E ndërtuar në vitin 1724, kjo kishë është një nga monumentet më të rëndësishme të Voskopojës. Afreskët e saj të realizuara nga vëllezërit Kostandin dhe Athanas Zografi pasqyrojnë mjeshtërinë e artit bizantin.
Ndër kishat e shumta e të bukura të Voskopojës, renditet dhe kisha e Shën Athanasit, që fare mirë mund të konsiderohet si një thesar që dëshmon lavdinë e dikurshme të kësaj zone.
E ndërtuar në vitin 1724, kjo kishë është një nga monumentet më të rëndësishme të Voskopojës. Afreskët e saj të realizuara nga vëllezërit Kostandin dhe Athanas Zografi pasqyrojnë mjeshtërinë e artit bizantin.
Me arkitekturën e saj të veçantë dhe historinë e pasur, kisha shërben si një qendër fetare dhe kulturore duke tërhequr vizitorë vendas dhe të huaj.
Kisha e Shën Athanasit është ndërtuar mbi kodrën me të njëjtin emër, e cila ka shërbyer edhe si varrezë e Voskopojës. Kisha e Shën Athanasit është kisha e katërt e të njëjtit tip, bazilikë me mbulesa të kurbëzuara, e ndërtuar në Voskopojë. Narteksi është rrënuar nga tërmeti i vitit 1960. Pikturimi i naosit dhe arkadës ka përfunduar në qershor të vitit 1745 nga vëllezërit Konstantin dhe Athanas nga Korça.
Pikturat e naosit dallohen për programin ikonografik tepër të veçantë, ku prezantohet një cikël tepër i zgjeruar me skena të shumta të martirizimit të shenjtorëve dhe ku trajtimi i hollësishëm deri diku makabër i torturimit të tyre tejkalojnë fantazitë e shikuesit.
Në pikturat e arkadës vëllezërit Konstantin dhe Athanas kanë prezantuar me mjeshtëri një cikël të zgjeruar të Apokalipsit, i cili konsiderohet si cikli më i plotë i prezantuar në afreske deri në atë periudhë.
Burimi ATSH