Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Balla: Opozita të bashkojë votën për t’i miratuar
Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Diasporën kërkon bashkëpunimin me opozitën për ndryshimet në Kodin Zgjedhor që lidhen me votën e shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.
Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Diasporën kërkon bashkëpunimin me opozitën për ndryshimet në Kodin Zgjedhor që lidhen me votën e shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, të cilët për herë të parë do të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare që do të zhvillohen më 11 maj.
Gjatë një intervistë televizive, Balla tha se tashmë janë në mes të procesit të regjistrimit dhe se duhet të ndryshohen dy elemente që nuk janë ngritur nga Partia Socialiste, por nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe nga shqiptarët që jetojnë jashtë vendit.
Elementi i parë, sipas Ballës ka të bëjë me fondin që qeveria i ka alokuar KQZ për të paguar postën në vajtje dhe në kthim për fletën e votimit të një qytetari shqiptar që jeton jashtë vendit.
“Kemi qenë e vetmja parti që e kemi kërkuar votën e Diasporës historikisht, edhe në opozitë dhe gjatë gjithë këtyre viteve. Nuk na ka dhënë ndonjëherë populli shqiptar 84 mandate që të vendosim vetë dhe kemi qenë të detyruar, e ndaj u vonua kaq vite 3 vota e diasporës. Tani jemi në mes të procesit të regjistrimit. Në këtë fazë kanë rezultuar dy elementë që nuk janë ngritur prej nesh, por kanë marrë vëmendjen tonë dhe kemi reflektuar sapo filloi procesi”, u shpreh Balla.
“Gjëja e parë që kanë ngritur bashkatdhetarët dhe unë bashkohem me ta është: Po mirë ne shqiptarët e Diasporës do duhet ta paguajmë me lek votën tonë. Unë në ShBA duhet të paguajë 45 dollarë për të nisur me postë fletën e votimit për në Tiranë. Dhe këtu kryeministri tha se ne jemi të gatshëm t’i japim KQZ gjithë fondin e duhur për të mbuluar të gjithë shpenzimin në vajtje që e ka me ligj, por edhe në kthim. Tani kemi një element që duhet të ndryshojmë ligjin. A thotë opozita që do fitojë. Pikërisht, hajdeni bashkojeni votën”, tha Balla.
Sa i përket elementit të dytë, Balla tha se KQZ ka kërkuar zgjerimin deri në 60 ditë të afatit të regjistrimit të kandidatëve për të mundësuar më shumë kohë për dërgimin dhe kthimin e fletëve të votimit.
“Elementi dytë është se KQZ me të drejtë thotë se nëse kandidatët regjistrohen 50 ditë para zgjedhjeve, që do të thotë se 10 ditë do t’i marrë hartimi dhe printimi i fletës së votimit, atëherë më ngelen më pak se 40 ditë për të dërguar fletën e votimit deri në Alaskë dhe për t’u kthyer fleta e votimit. Atëherë me të drejtë KQZ thotë po këto partitë politike gati duhet t’i kenë kandidatët, përse të mos e rrisim afatin e regjistrimit të kandidatëve deri në 60 ditë. Kjo gjëja nuk e prek procesin”, deklaroi Balla.
Lidhur me kushtëzimin që PD po i bën miratimit të ndryshimeve, Balla tha se në rastin më të keq, do të gjendet një zgjidhje alternative për të paguar postën për fletën e votimit.
Burimi ATSH