Duka pritet në takim nga kryebashkiaku i Romës, Roberto Gualtieri
Gjatë bashkëbisedimit me Presidentin e FSHF-së ndër të tjera Kryebashkiaku i Romës, Gualtieri rikujtoi me shumë kënaqësi edhe vizitën e tij në Tiranë, në kuadër të finales së UEFA Conference League, Roma-Feyenoord
Presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka, u prit sot në një takim nga kryetari i Bashkisë së Romës, Roberto Gualtieri.
Presidenti i FSHF-së, Duka ishte i shoqëruar nga Presidenti i FIGC, Gabriele Gravina, Sekretari i Përgjithshëm i FIGC, Marco Brunelli, presidenti i Federatës së Ukrainës, Andrij Shevchenko, presidenti i Federatës së Malit të Zi, Dejan Savicevic dhe presidenti i Federatës së San Marinos, Marco Tura.
Përgjatë takimit dhe vizitës në muzetë Capitolini, u diskutuan çështje në lidhje me futbollin dhe bashkëpunimin mes federatave.
Gjatë bashkëbisedimit me Presidentin e FSHF-së ndër të tjera Kryebashkiaku i Romës, Gualtieri rikujtoi me shumë kënaqësi edhe vizitën e tij në Tiranë, në kuadër të finales së UEFA Conference League, Roma-Feyenoord. Në finalen historike të parë të këtij kompeticioni ishte pikërisht skuadra e Romës që triumfoi duke fituar trofeun.
Ndërkohë Duka, një ditë më parë mori pjesë në Asamblenë Zgjedhore të FIGC, ku u rikonfirmua Gravina si president i Federatës Italiane të Futbollit për 4 vitet e ardhshme.