![](https://www.tiranadiplomat.com/wp-content/uploads/2025/02/Manjani.png)
Manjani: Reforma e re e pensioneve gati në fund të këtij viti, shqetësim plakja e popullsisë
Zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani bëri të ditur sot se në fund të këtij viti parashikohet të jetë bërë gati drafti i ri i reformës së pensioneve.
![](https://www.tiranadiplomat.com/wp-content/uploads/2025/02/Manjani.png)
Zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani bëri të ditur sot se në fund të këtij viti parashikohet të jetë bërë gati drafti i ri i reformës së pensioneve.
Në konferencën ndërkombëtare mbi të ardhmen e sistemit të pensioneve në Shqipëri, Manjani renditi faktorët që po merren parasysh për hartimin e reformës së re.
”Në reformën e re po analizohen disa faktorë, të tillë si ndikimi i ndryshimeve demografike në qëndrueshmërinë financiare, plakja e popullsisë, pasi jemi vend me popullsi relativisht të re, por sërish kemi popullsi që po plaket shpejt, përballja me flukse emigracioni, rritje të jetëgjatësisë dhe rënie të lindshmërisë. Po përballemi me ndryshime në tregun e punës për shkak të ndryshimeve të shpejta teknologjike dhe për shkak të daljes së profesioneve të reja. Duhen marrë parasysh të gjithë këto faktorë dhe elementë në reformimin e skemës së sigurimeve shoqërore”, deklaroi Manjani.
Nëse reforma e vitit 2014 arriti të krijonte një lloj ndërgjegjësimi për t’u bërë pjesë në skemën e sigurimeve shoqërore dhe u rrit numri i kontribuuesve me mbi 200 mijë, Manjani deklaroi se sfida aktuale është që këta kontribues të kuptojnë që këto sigurime nuk duhet të paguhen mbi një pagë minimale për efekt të deklarimit në ISSH, por mbi pagën e tyre reale.
Ajo shpjegoi se shpesh qytetarët ankohen në momentin kur lidhin pensionin, sepse përballen me një nivel të ulët pensioni, ndërsa pagat e tyre kanë qenë të larta.
Kjo, sipas saj, vjen shpesh dhe është për shkak të një marrëveshjeje dypalëshe punëdhënës-punëmarrës për pagimin e kontributeve mbi pagë minimale.
“Nëse sfida e 2014-së ishte rritja e numrit të kontribuuesve, tani është jo vetëm rritja e ruajtja e numrit të kontribuuesve por sigurimi i kontributeve cilësore që reflektojnë realisht të ardhurat që gjenerojnë pagëmarrësit”, shtoi Manjani.
Zv/ministrja theksoi se reforma e vitit 2014 solli rënien e deficitit të skemës në 0.8 % e PBB në fund të 2024-ës, nga 2 % e PBB-së që ishte në 2014, si dhe mbi 200 mijë kontribuues të rinj në skemë.
Sipas saj diskutimet për reformën e re të pensioneve janë të lidhur nëse duhet ndërhyrë në mënyrë parametrike apo sistemike, që do të thotë nëse do të bëhet ndryshimi i mënyrës se si llogaritet pensioni apo do të ndryshojë në tërësi i gjithë sistemi i pensioneve.
Në diskutimin e reformës sistemike, tha ajo, hyn edhe diskutimi nëse ka nevojë aktualisht skema e pensioneve që të ketë edhe një kolonë të dytë, pra të diversifikojmë mënyrën se si menaxhohet dhe se si administrohet skema e madhe e sigurimeve shoqërore.
Një tjetër element është diskutimi për pensionet ekzistuese. “Çdo të ndodhë me pensionet ekzistuese. Tendenca është të lidhim këto pensione me pensionet e reja, pra normalisht reforma prek mënyrën se si do të lidhen pensionet e reja, por ndërkohë kemi stok të madh pensionesh që përfitohen sot. Aktualisht janë rreth 720 mijë”, tha Manjani.
Sipas saj, këta janë faktorët që do të diskutohen në vijim.
Ndër rezultatet e e reformës së vitit 2014 zv/ministrja renditi edhe përmirësimin e normës së varësisë që është rritja e numrit të kontribuuesve për përfitues. Sot, tha ajo kemi 1,19 kontribues për 1 përfitues. Ndërsa raporti i rrezikut është 1, ose nën 1.
Zv/ministrja theksoi se plakja e shpejtë e popullsisë mbetet shqetësim.
“Vërtet është rritur numri i kontribuuesve por nga ana tjetër kemi edhe një rritje shumë të shpejtë të numrit të pensionistëve. Numri i pensionistëve është rritur me rreth 130 mijë. Në fund të vitit 2023 ishte 705 mijë, në 2024 720 mijë. Neto numri u rrit nga 15-18 mijë. Në 10 vitet e ardhshme do të kemi të bëjmë me 180 mijë pensionistë më shumë në neto që do t’u bashkëngjiten skemës së sigurimeve shoqërore”, tha Manjani.
Burimi ATSH