Miratohet krijimi i bazës së të dhënave shtetërore
Të dhënat, që aksesohen nga subjektet e interesuara, janë të dhëna statistikore dhe asnjë e dhënë personale nuk mund të përpunohet nga kjo databazë.
Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për krijimin e bazës së të dhënave shtetërore “Databaza e treguesve të statistikave zyrtare”.
Në vendimin e miratuar në mbledhjen e sotme të qeverisë parashikohet se institucioni administrues i bazës së të dhënave shtetërore “Databaza e treguesve të statistikave zyrtare” është Instituti i Statistikave.
Të dhënat që përmban databaza shtetërore “Databaza e treguesve të statistikave zyrtare” ndahen në të dhëna parësore dhe të dhëna dytësore, që përditësohen sipas legjislacionit për programin e statistikave zyrtare dhe përpunohen në zbatim të legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale.
Dhënës të informacionit për “Databaza e treguesve të statistikave zyrtare” janë: Kryeministria, ministritë, institucionet në varësi të Kryeministrisë ose të ministrive të linjës, institucionet e pavarura, njësitë e drejtpërdrejta të ofrimit të shërbimeve, agjencitë autonome, administrata e prefektit; bashkitë dhe qarqet.
Baza e të dhënave shtetërore “Databaza e treguesve të statistikave zyrtare” ndërvepron me bazat e të dhënave shtetërore të autoriteteve publike, sipas ligjit “Për bazat e të dhënave shtetërore”, ligjit “Për statistikat zyrtare” dhe programit të statistikave zyrtare.
Niveli i aksesimit të subjekteve të interesuara për bazën e të dhënave shtetërore “Databaza e treguesve të statistikave zyrtare” është, si më poshtë vijon: INSTAT-i, administrator me të drejta të plota ndryshimi, krijimi, fshirjeje, leximi, sipas roleve përkatëse; Publiku, vetëm me të drejta leximi; Entitetet krijuese të informacionit, sipas legjislacionit për programin e statistikave zyrtare.
Të dhënat, që aksesohen nga subjektet e interesuara, janë të dhëna statistikore dhe asnjë e dhënë personale nuk mund të përpunohet nga kjo databazë.
Ngarkohet Instituti i Statistikave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
Burimi ATSH