![](https://www.tiranadiplomat.com/wp-content/uploads/2024/09/euroo.jpg)
Banka Qendrore Evropiane zgjat deri në 2027-n, linjën e likuiditetit në euro me Bankën e Shqipërisë
Marrëveshja i mundëson Bankës së Shqipërisë akses në një linjë likuiditeti në vlerën e pandryshuar maksimale të huas 400 milionë euro.
![](https://www.tiranadiplomat.com/wp-content/uploads/2024/09/euroo.jpg)
Banka Qendrore Evropiane (BQE), në bazë të marrëveshjes ekzistuese të dakordësuar në vitin 2020, ra dakord për zgjatjen e afatit të huas së kolateralizuar në euro (REPO) me Bankën e Shqipërisë deri në 31 janar 2027, me të njëjtat kushte si më parë.
Marrëveshja i mundëson Bankës së Shqipërisë akses në një linjë likuiditeti në vlerën e pandryshuar maksimale të huas 400 milionë euro.
“Pavarësisht se deri tani përdorimi i kësaj linje likuiditeti nuk ka qenë i nevojshëm, Banka e Shqipërisë vlerëson se ky instrument rezervë mbetet mbështetës për stabilitetin monetar dhe financiar të vendit, në kuadër të pasigurive të shtuara që vijnë nga vazhdimi i luftës në Ukrainë apo tensionet në Lindjen e Mesme, si dhe rreziqet e tyre potenciale për ekonominë globale dhe tregjet financiare”, thuhet në njoftimin për shtyp të Bankës së Shqipërisë.
Linjat e likuiditetit ndërmjet bankave qendrore janë instrumente të mirëpërcaktuara në paketën e instrumenteve të politikave të bankës qendrore, që synojnë zbutjen e tensioneve në tregjet ndërkombëtare të financimit. Ato janë marrëveshje, të bazuara në kushte të paracaktuara, që u mundësojnë bankave qendrore të marrin monedha të emetuara nga banka të tjera qendrore në këmbim të një forme kolaterali. Dy lloje bazë të instrumenteve financiare mund të përdoren për të krijuar një linjë likuiditeti: marrëveshjet e shkëmbimit dhe marrëveshjet e riblerjes (shpesh të referuara si “marrëveshje repo”).
Linjat “swap” dhe “repo” janë përdorur gjithnjë e më shumë nga BQE dhe banka të tjera të mëdha qendrore që nga kriza financiare globale 2008-2009. BQE është pjesë e një rrjeti të linjës shkëmbimi të marrëveshjeve dypalëshe të qëndrueshme me pesë banka të tjera qendrore kryesore: Bankën e Kanadasë, Bankën e Japonisë, Bankën Kombëtare të Zvicrës, Bankën e Anglisë dhe Sistemin e Rezervës Federale.
Marrëveshjet e shkëmbimit të monedhës ndërmjet dy bankave qendrore janë marrëveshje ku banka qendrore huamarrëse merr një monedhë tjetër në këmbim të monedhës së saj, e cila jepet si kolateral. Të dyja bankat qendrore bien dakord të anulojnë transaksionin dhe të paguajnë monedhën e marrë hua, plus një normë interesi të rënë dakord me kontratë, në një datë të caktuar.
Burimi ATSH