Luftërat tregtare dhe tarifore nuk kanë fitues

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump shpalli të shtunën, datë 1 shkurt, një dekret për tarifa doganore shtesë për të gjitha mallrat e importuara nga tre partnerët më të mëdhenj tregtarë të Amerikës: Kina, Meksika dhe Kanadaja.

Foto VCG

Nga Prof. Dr. Petraq Milo

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump shpalli të shtunën, datë 1 shkurt, një dekret për tarifa doganore shtesë për të gjitha mallrat e importuara nga tre partnerët më të mëdhenj tregtarë të Amerikës: Kina, Meksika dhe Kanadaja. Tarifat doganore shtesë do të jenë 25 përqind për prodhimet nga Kanadaja dhe Meksika dhe 10 përqind për produktet kineze. Këto tre vende së bashku, vitin e kaluar, zinin më shumë se 41.7% të importeve në SHBA. Presidenti Trump ka zhvilluar biseda telefonike me Presidenten e BE-së dhe ka deklaruar se do të vendosë tarifa edhe për mallrat europiane. Presidenti Trump i është referuar Aktit Ndërkombëtar të Fuqive Ekonomike Emergjente (IEEPA) për rritjen e tarifave, duke akuzuar vendet e synuara se nuk kanë bërë mjaftueshëm për të ndaluar imigracionin e paligjshëm ose trafikun e drogës në Shtetet e Bashkuara. Këto janë masa të forta proteksioniste ndaj këtyre tri vendeve, përtej tregtisë së hapur. Të menjëhershme ishin reagimet ndaj politikës së re tarifore. Reagimet ishin kundërshtuese për motivet e vendosjes së tyre. Kanadaja dhe Meksika thanë se po përgatisnin tarifa të ngjashme për mallrat amerikane, ndërsa Kina shtoi se do të merrte kundërmasat e nevojshme për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e saj legjitime“. 


Foto VCG

Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, njoftoi se Otaëa do të përgjigjet në të njëjtën mënyrë, duke vendosur tarifa prej 25 për qind deri në 155 miliardë dollarë në importet amerikane. Këto tarifa do të përfshijnë birrën amerikane, verën dhe burbonin, si dhe frutat dhe lëngjet e frutave, duke përfshirë lëngun e portokallit, përfshirë veshje, pajisje sportive dhe pajisje shtëpiake. Kanadaja ka sinjalizuar se do të ketë një qasje të fortë ndaj Trump, e artikuluar më së miri nga pretendenti për të qenë kryeministri i ardhshëm i vendit, Mark Carney, duke theksuar se “ne do të hakmerremi … dollar për dollar“. Presidentja meksikane Claudia Sheinbaum urdhëroi tarifa hakmarrëse në përgjigje të vendimit të SHBA për të vendosur tarifa 25% për të gjitha mallrat që vijnë nga Meksika. Në një postim të gjatë Sheinbaum tha se qeveria e saj kërkonte dialog dhe jo konfrontim me partnerin e saj kryesor tregtar në veri, por se Meksika ishte detyruar të përgjigjej në të njëjtën mënyrë.  Bashkimi Evropian gjithashtu dëshiron ta shmangë luftën tregtare me presidentin amerikan Trump, por nuk përjashton mundësinë për t’u kundërpërgjigjur me tarifa doganore. 


Foto VCG

Fillimisht qeveria e Kinës ka denoncuar tarifat duke lënë të hapur derën për bisedime me SHBA-në që mund të shmangte një konflikt të thelluar. Kundërshtimi më i mprehtë i Kinës ishte rreth fentanilit, një zonë ku administrata e ish-presidentit amerikan Joe Biden i kishte kërkuar gjithashtu Pekinit të godiste dërgesat e kimikateve pararendëse të prodhuara në Kinë, të nevojshme për prodhimin e drogës. Ministria e Jashtme e Kinës ka theksuar se fentanyl është problemi i Amerikës”, dhe se pala kineze ka kryer një bashkëpunim të gjerë kundër narkotikëve me Shtetet e Bashkuara dhe ka arritur rezultate të jashtëzakonshme. Përgjigja e matur e Kinës shënoi një kontrast me hakmarrjen e drejtpërdrejtë dhe gjuhën e nxehtë nga Kanadaja dhe Meksika.


Foto VCG

Më 4 shkurt, Komiteti i Tarifave të Këshillit të Shtetit i Kinës publikoi një deklaratë mbi vendosjen e tarifave për disa produkte të importuara me origjinë nga SHBA, duke filluar nga data 10 shkurt. Mbështetur në parimet e ligjeve përkatëse kineze dhe parimet bazë të ligjeve ndërkombëtare, pas miratimit nga Këshilli i Shtetit, Kina do të vendosë tarifa mbi disa produkte importi me origjinë nga SHBA, si shtimi i një tarife 15% për qymyrin dhe gazin e lëngshëm natyror, i një tarife 10% për naftën bruto, makineritë bujqësore, makineritë shkarkuese me vëllim të madh dhe makineritë e transportit, si dhe për mallrat e importuara me origjinë nga SHBA, të listuara në shtojcë, tarifat përkatëse do të vendosen në bazë të normave aktuale të tarifave të zbatueshme, si dhe vendosjen e kontrolleve mbi eksportet e materialeve të lidhura me tungstenin, telurin, bismuthin, molibdenin, indiumin etj.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kina janë përfshirë në një luftë tregtare që nga viti 2018, kur presidenti Donald Trump vendosi tarifa mbi mallrat kineze. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi planet për të vendosur 50 miliardë dollarë taksa doganore për produktet kineze, sipas nenit 301 të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara. Kjo u pasua nga Kina, e cila vendosi gjithashtu tarifa, duke u fokusuar kryesisht në produktet bujqësore dhe ushqimet e detit.  Nisma e Trump-it ktheu një mase, e cila nuk ishte përdorur që nga Lufta e Dytë Botërore. Administrata ‘Biden’ nuk bëri gjë tjetër veçse konfirmoi politikën e paraardhësit të saj, pasi marrëveshjet e nënshkruara në janar 2020, parashikonin të mos rrisnin tensionet tregtare kinoamerikane, por edhe të linin të paprekura të gjitha masat e miratuara në dy vitet e mëparshme. Kështu, u lanë në fuqi tarifat doganore për produkte kryesore si makinat elektrike, panelet diellore, gjysëmpërçuesit, alumini dhe çeliku.

Të dhënat tregojnë se vendosja e tarifave ka ulur flukset tregtare midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara. Volumi tregtar ndërmjet dy vendeve është ulur në vitin 2024 krahasuar me vitin 2018. Nga 658.8 miliard USD në vitin 2018 në 616.2 miliard USD në vitin 2024. Pavarësisht rritjes së eksporteve të Kinës në vitin 2024 në krahasim me vitin 2023, niveli i tyre mbetet më i ulët se në vitin 2018 me fillimin e luftës tregtare. Në krahasim me vitin 2018 eksportet e Kinës kanë një rënie në -14.1%, ndërsa importet nga SHBA kanë një rritje në 19.3%.


Burimi : Të dhënat nga Trade Economics dhe analiza e autorit

Ndikimet potenciale negative nga rritja e tarifave do të jenë rritja e çmimeve të mallrave të importuara nga këto tri vende me sinjale inflacioniste dhe ulje të fuqisë blerëse për to, politikat proteksioniste si tarifat e larta tregtare ose kufizimet ndaj importeve, mund të nxisin vendet e tjera të largohen nga sistemi i mbështetur tek dollari, proteksionizmi mund të përshkallëzojë konfliktet tregtare.  Studimet akademike dhe qeveritare zbulojnë se tarifat Trump-Biden kanë rritur çmimet dhe kanë ulur prodhimin dhe punësimin, duke prodhuar një ndikim negativ neto në ekonominë amerikane. Pasojat e tarifave të luftës tregtare në ekonominë amerikane kanë sjellë rritjen e çmimeve dhe kanë ulur prodhimin ekonomik dhe punësimin që nga fillimi i luftës tregtare në 2018[1].   

Vendosja e tarifave të reja ka të ngjarë të ngadalësojnë rritjen ekonomike për të gjitha palët, të rrisin inflacionin, si dhe parashtrojnë dëmin e mundshëm për ekonominë amerikane. Ekonomisti dhe ish-sekretari i Thesarit i SHBA, Lawrence Summers tha se vendet e punës në “ industri do të humbasin pasi prodhuesit amerikanë nuk do të mund të konkurrojnë për shkak të kostove më të larta të inputeveErica Jor[2], vlerëson se tarifat ndaj Meksikës, Kanadasë dhe Kinës të propozuara për të hyrë në fuqi më 4 shkurt 2025, do të tkurrnin prodhimin ekonomik me 0.4 për qind dhe do të rrisnin taksat me 1.1 trilion dollarë midis 2025 dhe 2034, duke arritur në një rritje mesatare të taksave prej më shumë se 800 USD për familjet amerikane në vitin 2025. Tarifat do të ndikojnë edhe për prodhuesit evropianë, duke e bërë më të kushtueshëm eksportin e mallrave në SHBA dhe duke rritur kostot për konsumatorët amerikanë që blinin produkte nga Evropa.  Nëse Presidenti Trump do të vendosë tarifa të reja doganore për industrinë ushqimore, produktet e modës dhe industrinë e makinave të prodhuara nga vendet europiane që të ruajë prodhuesit vendës, atëherë mundet të kenë pasoja në këtë drejtim vendet si Britania e Madhe, Franca, Italia dhe Gjermania.  

Në raportin e fundit të FMN në janar të vitit 2025 për Shqipërinë, theksohet se pasiguritë rreth parashikimeve ekonomike janë rritur kryesisht për shkak të zhvillimeve në ambientin e huaj të cilat mund të ketë implikime të rëndësishme për ekonominë globale në përgjithësi dhe atë evropiane në veçanti. Vazhdimi i tensioneve politike, pasiguri në politikat tregtare ekonomike, bashkëpunimi ndërkombëtar i dobësuar mund të rezultojnë në një konfigurim më pak efikas të tregtisë dhe IHD-ve, ndërprerje të furnizimit, proteksionizëm, fragmentim të sistemeve teknologjike dhe të pagesave, rritje të kostove të transportit dhe inputeve, paqëndrueshmëri financiare, një thyerje të sistemit monetar ndërkombëtar dhe rritje ekonomike më të ulët. Të gjithë aktorët gjykojnë se luftërat tregtare dhe tarifore nuk kanë fitues. Kina është e gatshme të punojë me anëtarët e tjerë të OBT-së, për të trajtuar sfidat e unilateralizmit dhe proteksionizmit tregtar ndaj sistemit tregtar shumëpalësh, si edhe për të ruajtur zhvillimin e rregullt dhe të qëndrueshëm të tregtisë ndërkombëtare.

Burimi CGTN

Lexo më shumë nga

Begaj në Mal të Zi, takime me përfaqësues të shqiptarëve në qeveri dhe parlament

Kreu i Shtetit diskutoi me ta për forcimin politik të faktorit shqiptar në Malin e Zi dhe zhvillimin ekonomik të…

Global 360

Kosova mbajti zgjedhje të qeta, misioni i KiE kritikon qeverinë për gjuhën negative kundër medieve

Shefja e Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve nga KiE, Nathalie Loiseau, ka vlerësuar zhvillimin e zgjedhjeve

Diplovista

Rama për “La Razón”: Trump mund të jetë një bekim për Evropën, mund ta zgjojë dhe ta bëjë fuqi të madhe

“Trump mund të jetë një bekim për Evropën pasi mund ta zgjojë dhe ta bëjë një fuqi të madhe”, tha…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Shkrimtarët…

Shkrimtarët duhet ta kapërcejnë sa më parë harkun kulturor lokal, për ta bërë letërsinë e tyre emancipuese, universale

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Begaj në Mal të Zi, takime me përfaqësues të shqiptarëve në qeveri dhe parlament

Kreu i Shtetit diskutoi me ta për forcimin politik të faktorit shqiptar në Malin e Zi dhe zhvillimin ekonomik të…