![](https://www.tiranadiplomat.com/wp-content/uploads/2025/02/spiropali-1.jpg)
“Kuvend-ON” në Vlorë, Spiropali: Askush mbi ligjin, por edhe askush nën ligjin
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali vijoi sot takimet në kuadër të programit “Kuvendojmë për Shqipërinë” në qarkun e Vlorës.
![](https://www.tiranadiplomat.com/wp-content/uploads/2025/02/spiropali-1.jpg)
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali vijoi sot takimet në kuadër të programit “Kuvendojmë për Shqipërinë” në qarkun e Vlorës.
Në ambientet e Pallatit të Kulturës në qytetin e Vlorës, Spiropali prezantoi nismën “Kuvend-ON”, një program i cili shtrihet në të gjithë vendin, si një platformë “llogaridhënieje” gjithëpërfshirëse, ku qytetarët nxiten t’i shprehin shqetësimet e tyre drejtpërdrejt Kryetares së Kuvendit.
Në aktivitet morën pjesë Kryetari i Bashkisë Vlorë, Ermal Dredha, studentë nga Universiteti i Vlorës, sipërmarrës, pensionistë, përfaqësues nga OJF, të rinj dhe të reja të qytetit, të cilët diskutuan me Kryetaren e Kuvendit, Elisa Spiropali për problematikat e tyre, etj.
Gjatë fjalës së saj, Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, u shpreh se puna e Kuvendit është mjaft komplekse, ndërsa theksoi se Shqipëria ka shënuar arritje në procesin e anëtarësimit në BE dhe arenën ndërkombëtare.
Spiropali nënvizoi se debati publik i shërben demokracisë dhe në Kuvendin e Shqipërisë përcillen vazhdimisht problematikat e qytetarëve.
“Deputetët janë zëri i qytetarëve, përfaqësojnë vullnetin e popullit me vizion për të ardhmen e vendit. Duhet të jemi llogaridhënës, ku kemi qenë, ku jemi dhe ku duam të jemi. Kemi shënuar shumë arritje, sidomos rritja e rolit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Çelja e negociatave është arritje e jashtëzakonshme dhe brenda tre viteve mund të mbyllim procesin me bindjen për ta bërë Shqipërinë pjesë të familjes së madhe europiane. Të realizojmë ëndrrën e paraardhësve tanë, Shqipërinë europiane”, u shpreh Spiropali.
Spiropali u shpreh gjatë aktivitetit se nisma Kuvend-ON, e cila po shtrihet në çdo qark të vendit i shërben bashkëveprimit mes qytetarëve dhe Kuvendit për një Shqipëri më të mirë.
Kryetarja Spiropali theksoi se, askush nuk është mbi ligjin, por edhe askush nën ligjin.
“Duhet të garantohet proces i drejtë, të mbrohen të drejtat kushtetuese dhe njerëzore. Nuk mund të shkelet me këmbë prezumimi i pafajësisë dhe dinjiteti njerëzor. Ndal linçimit publik”, u shpreh Spiropali.
“Drejtësia është e pavarur se duhet të lihet e pavarur dhe duhet të lihet në heshtje të bëjë punën, e të shohë e të gjykojë vetëm provat. As çadrat që mbrojnë njëri tjetrin, as ulërimat që duan të linçojnë apo dënojmë njëri tjetrin. Këtë lloj drejtësie kërkojmë ne. Këtë lloj drejtësie kërkon kjo shumicë. Këtë lloj drejtësie kërkon Europa, e cila nuk niset nga shkatërrimi i të drejtave kushtetuese dhe njerëzore, por niset nga garantimi i këtyre të drejtave duke garantuar në fund drejtësi. Patjetër kush ka gabuar, kush e ka futur dorën atje ku nuk duhet, kush i ka rënë në qafë njerëzve dhe detyrës që i ka besuar ky popull patjetër duhet të gjykohet, sipas standardeve të një drejtësie të drejtë. Por askush nuk ka borxhin më të vogël që të shkatërrohet publikisht, që t’i nëpërkëmbet prezymimi i pafajësisë, që t’i shkatërrohet publikisht emri, reputacioni, pa prova”, u shpreh Spiropali.
Gjatë aktivitetit morën fjalën të rinj dhe të reja, të cilët ngritën disa shqetësime dhe i drejtuan disa pyetje Kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali.
Burimi ATSH