![](https://www.tiranadiplomat.com/wp-content/uploads/2025/02/Edi-rama-5-2-1068x740-2.jpg)
Rama: Hetimet ndaj Veliajt si të Sigurimit të Shtetit, janë intimiduar persona
Kryeministri Edi Rama tha sot se në hetimin e zhvilluar ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj ka patur dhe intimidim të dëshmitarëve.
![](https://www.tiranadiplomat.com/wp-content/uploads/2025/02/Edi-rama-5-2-1068x740-2.jpg)
Kryeministri Edi Rama tha sot se në hetimin e zhvilluar ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj ka patur dhe intimidim të dëshmitarëve.
Sipas Ramës, njërit prej tyre i është thënë se “mirë është të nderosh babanë”, pasi ky i fundit punon në shtet. Rama tha se kjo mënyrë i ka kujtuar kohën e shumë viteve më parë kur vetë atë e kanë arrestuar dhe i kanë thënë se duhej të ndiente turp se po tradhtonte babanë.
“Prezumimi i pafajësisë nuk është një rresht që shkruhet për të larë gojën në fund të një romani aktakuzë me thuajse 400 faqe ku faktikisht flitet deri dhe për persona që nuk kanë shfaqur pendesë. Çfarë prezumimi pafajësie njeh ti, kur thua personi që unë po akuzoj nuk ka shfaqur pendesë. Ku jemi këtu? Nivelin e pendesës apo jo të pendesës, mund ta konsiderojë dhe ta gjykojë vetëm gjykatësi”, tha Rama.
“Nuk ka pendesë që mund të bëhet shkak për të rënduar pozicionin e personit nga ana e atij që e akuzon. Po kjo ka ndodhur, por ka ndodhur në një kohë tjetër, kur hetimet bëheshin me direktiva nga Sigurimi i Shtetit, atëherë po. Pendohu , bashkëpuno etj, për kriminelë ose për njerëz që duheshin nxjerr patjetër si kriminelë që nuk kishte diskutim prezumim pafajësie. Për çfarë shkruhet ajo në fund?”, u shpreh Rama.
“Jemi në një situatë shumë delikate. Jo për ne në aspektin politik, jo për ne në aspektin e raportit tonë me drejtësinë dhe e përsëris nuk më takon mua dhe nuk na takon ne dhe nuk kanë për ta dëgjuar njerëzit që ne të themi nëse Erjoni është i fajshëm apo është i pafajshëm, kjo është e drejtësisë. Por që ne do të ngremë shumë pyetje dhe shumë pikëpyetje, jo për këtë rast, po për shumë raste të tjera në vijim duke e mbështetur drejtësinë, duke mbështetur pavarësinë e saj, por njëkohësisht duke kërkuar të drejta”, tha Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se janë intimiduar persona në këtë proces.
“Në procesin e deritanishëm unë jam dëshmitar, e dini këtë? Jam dëshmitar për intimidim të personave. Janë intimiduar njerëz që më kanë bërë të mendoj për kohën kur unë jam marrë nga policia përpara rënies së regjimit, jem futur në makinën e policisë, jam çuar në një repart a rajon dhe aty më është folur për turpin që duhet të ndjeja që po tradhëtoja babain. Një njeriu në atë hetim i është përmendur i ati, që është punonjës në shtet duke i thënë “mirë është ta nderosh babin”. Ku jemi këtu? Ku jemi këtu? Kjo nuk ka lidhje fare me fajësinë apo me pafajësinë e Erjonit”, theksoi Rama.