![](https://www.tiranadiplomat.com/wp-content/uploads/2025/02/erama.jpeg)
Rama: Rikualifikim i Pallatit të Kongreseve me konkurs ndërkombëtar
Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në aktivitetin e prezantimit të projektit për rijetëzimin e sheshit “Nënë Tereza” me një oaz të gjelbër kushtuar librit dhe një hapësirë dedikuar publikut.
![](https://www.tiranadiplomat.com/wp-content/uploads/2025/02/erama.jpeg)
Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në aktivitetin e prezantimit të projektit për rijetëzimin e sheshit “Nënë Tereza” me një oaz të gjelbër kushtuar librit dhe një hapësirë dedikuar publikut.
Në fjalën e tij Rama u shpreh se, “Korporata Shqiptare e Investimeve do të shpallë edhe konkursin për rishpikjen, nëse mund të përdorim këtë fjalë, rikualifikimin e Pallatit të Kongreseve, me të njëjtën formulë si me stadiumin ku do të fitojmë një pallat kongresesh të transformuar, të rinovuar dhe patjetër do të shohim si do të paraqiten dhe cili do të jetë projekti më i mirë me konkurs ndërkombëtar”.
Kjo, theksoi Rama, “do të thotë do të duhet të mbështesim gjithë këtë zhvillime me më shumë parkingje nëntokësore dhe do të duhet të ecim edhe me një program të ri që kemi që është një program kombëtar, së bashku me Fondin e Zhvillimit, për një infrastrukturë parkimesh mbitokësore, por jo parkime mbitokësore si ato që keni parë nëpër aeroporte, që janë një shëmti totale, por parkime mbitokësore me një prekje magjike të këtyre ustallarëve të mëdhenj të arkitekturës, që do të jenë një tjetër atraksion për Shqipërinë, siç kanë mbetur atraksion pjesë të infrastrukturës së dikurshme ushtarake”.
“Besoj që në një kohë të shkurtër projekti për të cilin jemi këtu sot do të realizohet dhe njerëzit do të kenë mundësi të shijojnë një ambient të veçantë, të posaçëm ku fokusi patjetër do të jenë fëmijët, por sigurisht edhe familjet dhe të tjerët. Po është pak por e sigurt nuk do të jenë ata frekuentuesit besnikë të kafeneve për kohë të gjatë. Pra nuk do të jenë kafene, do të jenë mjedise familjare ku kryesisht atraksioni do të jetë në funksion të fëmijëve”, tha Rama.
Burimi ATSH