![](https://www.tiranadiplomat.com/wp-content/uploads/2025/02/celibashi.jpg)
Votimi nga jashtë, KQZ propozime teknike për ndryshime në Kodin Zgjedhor
Propozimet e KQZ-së janë që të ndryshohen afatet që kanë të bëjnë me regjistrimin e subjekteve zgjedhore
![](https://www.tiranadiplomat.com/wp-content/uploads/2025/02/celibashi.jpg)
Në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut (Komisioni i Ligjeve), Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi prezantoi sot disa propozime teknike të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për ndryshime në Kodin Zgjedhor, sa i përket votimit nga jashtë.
Propozimet e KQZ-së janë që të ndryshohen afatet që kanë të bëjnë me regjistrimin e subjekteve zgjedhore, të ndryshohet përcaktimi ligjor që ngarkon votuesin me kostot e kthimit të fletës së votimit në KQZ, për shkak se është parashikuar fond për pagesën nga buxheti i shtetit i të gjitha kostove postare të dërgimit të fletëve të votimit tek zgjedhësit nga jashtë dhe kthimin e tyre në KQZ.
Gjithashtu, në këto propozime kërkohet që të ndryshohet edhe procedura e numërimit dhe vlerësimit të fletëve të votimit nga jashtë. Ndryshimi konsiston në rritjen e transparencës dhe dhënien e mundësisë së mbikëqyrjes në komisionet e numërimit, nga ana e përfaqësuesve politikë, por duke ruajtur dhe një komponent teknik të administrimit direkt nga KQZ.
“Kërkesa për regjistrim në listën e zgjedhësve që votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë të paraqitet në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë deri 30 ditë përpara datës së zgjedhjeve. Kjo kërkesë mund të paraqitet edhe online nëpërmjet një platforme elektronike të miratuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor”, cilësohet në njoftim.
Sipas njoftimit të KQZ-së, propozimet kanë ardhur si rrjedhim i konsultimeve të KQZ-së me përfaqësues të partive politike, organizatave të shoqërisë civile dhe aktorëve të tjerë të angazhuar në këtë proces.
Burimi ATSH