![](https://www.tiranadiplomat.com/wp-content/uploads/2025/02/rama-be-1.jpeg)
Rama: Gati çelja e negociatave edhe për dy grup-kapituj, të dytët më afër BE-së në rajon
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria është gati të çelë negociatat edhe për grup-kapitullin e tretë: “Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse”, me Bashkimin Evropian
![](https://www.tiranadiplomat.com/wp-content/uploads/2025/02/rama-be-1.jpeg)
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria është gati të çelë negociatat edhe për grup-kapitullin e tretë: “Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse”, me Bashkimin Evropian.
Kryeministri Edi Rama po ashtu bëri të ditur se në 29 janar Shqipëria mori letrën e Presidencës polake edhe për grup-kapitullin e dytë të “Tregut të brendshëm” për nëntë fusha të tjera.
Në fjalën e tij në prezantimin e modulit AI të zhvilluar brenda platformës së integrimit evropian dhe anëtarësimit, e cila përdoret çdo ditë nga më tepër se 1400 ekspertë integrimi, Rama falënderoi skuadrën e negociatorëve të Shqipërisë në përpjekjen për ta anëtarësuar Shqipërinë në BE brenda vitit 2030.
“Sot është një ditë tjetër shumë e bukur për të gjithë ne, e cila lidhet drejtpërdrejt me punën e të gjithëve ju. Dua t’ju falënderoj për punën tuaj dhe për faktin që e nderoni këtë vend përkundër të gjithë shabllonit të shtrembër sipas të cilit administrata shqiptare nuk meriton respekt”, tha Rama.
“Dje ishte një tjetër moment historik në proces, kështu quhen edhe në gjuhën e Brukselit, kështu quhen dhe në gjuhën e vendeve që negociojnë, momentet kur hapet një derë tjetër. Shqipëria mori letrën e Presidencës polake të këshillit të BE, ku na thuhet se vendi ynë është gati t’i çelë negociatat edhe për grup-kapitullin e tretë “Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse” dhe letra i kërkon BE-së paraqitjen e pozicionit negociues për tetë kapitujt, tetë fusha”, tha Rama.
Rama tha se “në procesin tonë të negociatave kemi hyrë në një shpejtësi shembullore”.
“Ju këtu jeni dëshmitarët më të besueshëm për të dëshmuar që kjo shpejtësi shembullore lidhet me rezultate, lidhet me qëmtimin skrupuloz të kushteve, janë krijuar apo s’janë krijuar kushtet që të hapet një derë tjetër”, tha Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se, “me këto dy letra dhe me këto dy dyer të reja të hapura, ne faktikisht bëhemi të dytët në rajonin tonë në aspektin e distancës me derën e madhe të BE-së”.
Burimi ATSH