
Raporti vjetor i Gjykatës Kushtetuese, Zaçaj: Vendime të arsyetuara për 408 kërkesa
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj prezantoi sot raportin vjetor të këtij institucioni për vitin 2024, ku theksoi se gjatë dy viteve të fundit ka pasur rritje të numrit të kërkesave dhe të vendimeve të marra nga Gjykata Kushtetuese.

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj prezantoi sot raportin vjetor të këtij institucioni për vitin 2024, ku theksoi se gjatë dy viteve të fundit ka pasur rritje të numrit të kërkesave dhe të vendimeve të marra nga Gjykata Kushtetuese.
Gjatë një konference për shtyp, Zaçaj u shpreh se nga 201 vendime në total në vitin 2021, Gjykata Kushtetuese ka marrë 408 vendime në total në vitin 2024.
Gjykata Kushtetuese, sipas saj, “ndryshoi qasjen e saj në disa aspekte, duke synuar të sigurojë jo vetëm aksesin e qytetarit përmes ankimit kushtetues individual, i cili rezulton të ketë një rritje prej 16% nga viti i kaluar, por edhe të zgjerojë hapësirën e mbrojtjes së tij kushtetuese”.
Pavarësisht ngarkesës së lartë, Zaçaj theksoi se Gjykata u kujdes për respektimin e afateve procedurale të shqyrtimit gjyqësor, duke synuar cilësinë e vendimmarrjes së saj.
Në këtë drejtim ajo theksoi se gjatë vitit 2024 ishin për shqyrtim gjithsej 520 kërkesa (427 kërkesa të reja dhe 93 të mbartura nga viti 2023), nga të cilat Gjykata shqyrtoi 408 kërkesa me vendime të arsyetuara. Aktualisht, numri total i kërkesave të mbartura, të cilat janë brenda afateve procedurale të shqyrtimit janë 104, nga të cilat 28 janë në shqyrtim në seancë plenare dhe 77 janë në fazën e shqyrtimit paraprak.
Zaçaj theksoi se Gjykata ka vendosur pranimin e kërkesës apo pranimin e pjesshëm në 55 çështje dhe rrëzimin e kërkesës në 31 çështje.
Sipas mënyrës së votimit, Gjykata ka dhënë 42 vendime njëzëri me votë unanime dhe 42 me shumicë votash. Vetëm në 2 vendime Gjykata ka vendosur rrëzimin për mosarritje të shumicës apo pamjaftueshmëri votash për një qëndrim.
Po ashtu, Zaçaj informoi se Gjykata Kushtetuese nuk ka aktualisht stok çështjesh të prapambetura jashtë afateve procedurale.
Burimi ATSH