
Rama në Samitin e Kievit: Evropa të mos e shpërfillë realitetin e ri
Kryeministri Edi Rama tha në samitin për përvjetorin e tretë të pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia se “është koha për një reflektim më të thellë në lidhje me mbështetjen apo shpenzimet ushtarake për Kievin”

Kryeministri Edi Rama tha në samitin për përvjetorin e tretë të pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia se “është koha për një reflektim më të thellë në lidhje me mbështetjen apo shpenzimet ushtarake për Kievin”, sipas transmetuesit britanik “Sky News”.
Kryeministri i Shqipërisë guxoi të ngrinte faktin se klima diplomatike për Ukrainën kishte ndryshuar rrënjësisht duke pasur parasysh dialogun e Donald Trump me Rusinë ndërsa u kërkoi liderëve perëndimorë të mos e shpërfillnin realitetin e ri.
Siç kemi raportuar, udhëheqësit po diskutojnë luftën në përvjetorin e tretë të pushtimit të plotë të Rusisë.
Samiti po organizohet në Kiev, ndërsa liderë të tjerë kanë marrë pjesë përmes lidhjes me video.
Në kontrast me përsëritjen e premtimeve për ndihmën e ardhshme ushtarake për Ukrainën dhe dëshirën që Kievi të anëtarësohet në BE dhe NATO, kryeministri Rama tha se ndërsa ai mbështet të gjitha këto synime – ishte jetike të trajtohej fakti që Rusia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po bisedonin veçmas.
Rama tha se udhëheqësit dukej se po vazhdonin sikur asgjë të mos kishte ndodhur – kur në fakt nën drejtimin e administratës së re në Shtëpinë e Bardhë gjithçka ishte ndryshe.
“Unë mendoj se diçka e rëndësishme ka ndodhur, siç e dini të gjithë – dhe pyetja është se si do të mbështetet Ukraina në mënyrë efikase dhe si… Evropa si kontinent mund të jetë efikase në mbrojtjen e vetvetes dhe për të nxjerrë më të mirën nga diçka që po ndodh, një negociatë mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha Rama.
“Sipas meje, kontinenti i Europës duhet të kalojë në një llogore të gjatë të diplomacisë duke përfshirë Britaninë e Madhe, Turqinë dhe BE-në dhe sigurisht duhet të dali me një pozicion. Me një pozicion, sepse kam frikë se nuk do jetë e qëndrueshme para opinionit publik veçanërisht në pjesën perëndimore të kontinentit të vazhdojë dhe të thotë çfarë po themi ne këtu”, tha Rama.
“Unë nuk jam i sigurt që vetëm duke folur për rritjen e mbështetjes ushtarake dhe rritjen e shpenzimeve ushtarake, ne e kuptojmë të gjithë çështjen. Ky është mendimi im modest. Ndoshta e kam gabim”, shtoi ai.
Siç raporton Sky News”, ai preku “elefantin në dhomë”- faktin që Uashingtoni dhe Moska kanë nisur bisedimet për arritjen e një marrëveshjeje dhe potencialin që Ukraina të shkëputet nga bisedimet dhe të imponohet një rezultat i padrejtë ndaj saj.
“Është e padrejtë të shohim që SHBA dhe Rusia po arrijnë një marrëveshje, ndërkohë që Ukraina po lihet jashtë kësaj dhe po i imponohet diçka. Ne kemi qenë për një kohë të gjatë në autopilotin amerikan, tani mesa po duket ai është fikur, asnjë nuk e di për sa kohë do të qëndrojë i fikur dhe unë besoj se ka ardhur koha për një reflektim të thellë në vend të asaj se çfarë duhet bërë në aspektin e mbështetjes ushtarake, shpenzimeve ushtarake”, tha kryeministri Rama.
“Është koha për një reflektim më të thellë se çfarë do të bëjmë në lidhje me mbështetjen ushtarake apo shpenzimet ushtarake. Sigurisht që është shumë e nevojshme, por mund të mos jetë e mjaftueshme”, tha ai.
Ai përsëriti se Shqipëria qëndronte plotësisht pranë Ukrainës dhe aleatëve të saj.
“Sigurisht që kjo është shumë e domosdoshme, por jo e mjaftueshme. Po e përsëris qëndrimin, që ne e mbështesim plotësisht Ukrainën, pa dyshim që mbështesim çdo vendim që do marrin të mëdhenjtë në këtë hapësirë”, tha ai.
Por, Rama tha se kishte disa dyshime për faktin se samiti po trajtonte vetëm gjysmën e problemit – anën ushtarake – dhe jo realitetin e ri politik dhe diplomatik.