
Kinë: Deputetët nxisin inovacionin dhe reformat e politikave në sektorët kryesorë
Sipas Komisionit të Çështjeve të Deputetëve, gjatë sesionit vjetor të AKP-së 2024 u paraqitën 9235 propozime, të cilat u shqyrtuan dhe u përpunuan nga 213 agjenci.

Teksa Kina përgatitet për sesionin e tretë të Asamblesë së 14-të Kombëtare Popullore (AKP) në fillim të marsit, roli i deputetëve në adresimin e sfidave më urgjente të vendit mbetet thelbësor. Këta deputetë të cilët përfaqësojnë një sërë profesionesh dhe prejardhjesh të ndryshme, kanë punuar vazhdimisht për të propozuar zgjidhje për çështje të shumta ekonomike, sociale dhe teknologjike.
Sipas Komisionit të Çështjeve të Deputetëve, gjatë sesionit vjetor të AKP-së 2024 u paraqitën 9235 propozime, të cilat u shqyrtuan dhe u përpunuan nga 213 agjenci. Këto propozime kanë luajtur një rol vendimtar në formësimin e politikave kombëtare të Kinës, me bashkëpunimin midis ligjvënësve dhe departamenteve qeveritare, duke sjellë në ndryshime të prekshme politikash, me synimin për të nxitur zhvillimin e sektorëve të ndryshëm.
AKP është organi suprem i pushtetit shtetëror dhe legjislativi kombëtar. Ajo ka autoritetin për të ndryshuar Kushtetutën, miratimin e ligjeve, miratimin e politikave kryesore dhe mbikëqyrjen e veprimeve të qeverisë. Me gati 3000 deputetë në nivel kombëtar dhe mbi 2.5 milionë në të gjitha nivelet e asambleve popullore, ata luajnë një rol jetik në lidhjen e qeverisë me popullin.
Deputetët e nivelit të qytezave dhe qarkut zgjidhen drejtpërdrejt nga votuesit, ndërsa deputetët në nivelet e tjera zgjidhen nga asambletë përkatëse të niveleve më të ulëta. Ekziston një organ i përhershëm i AKP që është Komiteti i Përhershëm i Asamblesë kombëtare Popullore. Kur AKP të përfundojë sesionin e saj vjetor, Komiteti i Përhershëm do të ushtrojë kompetencat e tij. Sistemi siguron që vullneti i popullit të reflektohet në punën e qeverisë.
Një shembull i dukshëm është Huang Li, kryetar i një kompanie të teknologjisë së lartë dhe deputet i AKP-së. Gjatë sesionit të dytë të Asamblesë së 14-të Kombëtare Popullore në 2024, Huang bëri një propozim për të përshpejtuar zhvillimin e teknologjisë BMI, një fushë me potencial të jashtëzakonshëm për kujdesin shëndetësor dhe ndërveprimin njeri-kompjuter.
Foto nga VCG
Ai bëri thirrje për krijimin e një qendre kombëtare të inovacionit të shkencës dhe teknologjisë së trurit, për të bashkuar ekspertët kryesorë në neuroshkencë, inxhinieri dhe mjekësi, për të çuar përpara kërkimin e BMI-së. Huang gjithashtu mbrojti standardet kombëtare për aplikimet klinike të BMI dhe miratimet më të shpejta rregullatore për pajisjet mjekësore të lidhura. Propozimi i tij është pjesë e një shtytje më të gjerë brenda industrisë së teknologjisë, e cila ka kërkuar përshpejtimin e teknologjisë BMI dhe vendosjen e Kinës si një lider global në këtë fushë në zhvillim.
Në përgjigje të këtyre përpjekjeve, në shkurt 2024 Komiteti Kombëtar i Etikës së Shkencës dhe Teknologjisë paraqiti udhëzimet e para etike për hulumtimin e BMI-së. Nga mesi i vitit, Ministria e Industrisë dhe Teknologjisë së Informacionit filloi planifikimin e një Komiteti Teknik të Standardizimit të BMI për të zhvilluar standarde rregullatore dhe të sigurisë. Për më tepër, Pekini dhe Shangai publikuan planet pesëvjeçare të veprimit për industrinë BMI në janar të këtij viti, duke sinjalizuar mbështetje të fortë qeveritare.
Puna e AKP-së karakterizohet nga bashkëpunimi dhe reagimi. Ndryshe nga disa sisteme parlamentare të karakterizuara nga debate kundërshtare, sistemi AKP i Kinës thekson zgjidhjen e problemeve dhe vendimmarrjen pragmatike. Deputetët angazhohen në konsultime të gjera me ekspertët, komunitetet lokale dhe publikun për të hartuar propozime të mirë-informuara që trajtojnë sfidat kritike.
Ndërsa sektorët e teknologjisë së lartë kanë tërhequr vëmendje të madhe nga deputetë si Huang, propozimet e AKP-së përfshijnë një grup të gjerë çështjesh, si mirëqenien shoqërore, mbrojtjen mjedisore dhe zhvillimin ekonomik. Me ekonominë e Kinës që po përballet me sfida të brendshme dhe presione të jashtme vitet e fundit, deputetët e AKP-së po i kushtojnë më shumë vëmendje stimulimit të ekonomisë, veçanërisht sektorit privat.
Një shembull kryesor është hartimi dhe futja e Ligjit për Nxitjen e Ekonomisë Private. Që nga viti 2023, deputetët e AKP-së, anëtarë të Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez (KKPPK), Federatës Industriale dhe Tregtare të Kinës si edhe organizatave të tjera, kanë paraqitur propozime për mbrojtjen dhe promovimin e sektorit privat. Si përgjigje, departamentet përkatëse të qeverisë përshpejtuan procesin e studimeve për zbatueshmërinë e kësaj çështjeje.
Në shkurt 2023, Ministria e Drejtësisë, Komisioni Kombëtar i Zhvillimit dhe Reformës si edhe Komisioni Legjislativ pranë Komitetit të Përhershëm të AKP-së, zhvilluan bashkë një simpozium legjislativ. Aktualisht, ligji fillestar është në fazën e shqyrtimit të dytë nga Komiteti i Përhershëm i AKP-së dhe pritet që të miratohet këtë vit.
Foto nga VCG
Roli i deputetëve të AKP-së do të vazhdojë të jetë thelbësor për Kinën, për të përballuar sfida më inovative dhe më urgjente. Qoftë teknologji, mirëqenie shoqërore apo çështje ekonomike, deputetët e AKP-së do të vazhdojnë të nxisin punët qeveritare dhe të çojnë përpara politikat që përshtaten me kërkesat e tanishme dhe ato të ardhme.
Burimi CGTN