
Celibashi tryezë me UN Albania: Shqipëria, progres në përfshirjen e grave në politikë
Tryeza bëri së bashku përfaqësues të partive politike, shoqërisë civile, organizatave ndërkombëtare që operojnë në fushën e zgjedhjeve dhe ekspertëve të çështjeve zgjedhore.

Promovimi i pjesëmarrjes së grave në zgjedhjet e 11 majit ishte tematika që u diskutua në tryezën e rrumbullakët të organizuar nga mes KQZ-së dhe UN Albania. Angazhimi i grave në politikë, barazia gjinore në listat e kandidatëve për deputetë dhe kandidatëve për këshillat bashkiakë, gjuha e përdorur në fushatat zgjedhore ishin pikat kyçe për të cilat u diskutua.
Tryeza bëri së bashku përfaqësues të partive politike, shoqërisë civile, organizatave ndërkombëtare që operojnë në fushën e zgjedhjeve dhe ekspertëve të çështjeve zgjedhore.
Duke marrë në konsideratë që jemi në prag të zgjedhjeve për Kuvend, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi solli në vëmendje se për pak ditë përfundon afati i partive politike dhe koalicioneve zgjedhore për depozitimin e listave shumemërore dhe aty do të shikohet qasja e partive politike në raport me përfaqësimin gjinor, do t’i qëndrojnë kuotave të Kodit Zgjedhor apo do ta tejkalojnë dhe do ta përmirësojnë atë.
Kryekomisionieri nënvizoi faktin që “nuk jemi aty ku duhet të jemi, ndaj u bëri apel partive politike që për zgjedhjet për Kuvend, të datës 11 maj 2025, të ndërmarrin disa hapa që përmirësojnë kushtet e marrjes pjesë të grave në fushatë, duke rritur mbështetjen financiare të tyre, duke iu dhënë akses në financat e partive për fushatën zgjedhore, kohë televizive etj.”.
Celibashi theksoi se pavarësisht përmirësimeve ligjore që janë bërë në raport me rritjen e pjesëmarrjes së grave në zgjedhjet, kjo nuk ka garantuar barazinë e përfaqësimit në politikë. “Problematika më e theksuar vihet re pas zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore, ku gratë janë ato që japin dorëheqjen njëra pas tjetrës duke u zëvendësuar me burrat në listë dhe kjo vërtetohet edhe nga statistikat (85 gra të dorëhequra nga këshillat bashkiakë/ për 11 parti politike janë tërhequr të gjitha gratë e listës shumemërore)”.
Nga ana e saj, Fiona Mçluney, Koordinatore e Përhershme e OKB-së në Shqipëri, tha se “për të arritur plotësisht Objektivin e Zhvillimit të Qëndrueshëm 5, nuk mjafton vetëm rritja e përfaqësimit të grave, por duhet të sigurohet edhe pjesëmarrja e tyre kuptimplotë në proceset politike. Kjo kërkon eliminimin e barrierave strukturore, sigurimin e aksesit të barabartë në rolet drejtuese dhe krijimin e një mjedisi mundësues për fuqizimin politik të grave. Gjatë viteve, Shqipëria ka bërë përparime të jashtëzakonshme në promovimin e pjesëmarrjes politike të grave, si në nivel qendror ashtu edhe në atë vendor.
Megjithatë, arritjet e së kaluarës nuk janë një garanci për progres të vazhdueshëm. Ende ekzistojnë sfida për të siguruar pjesëmarrje të mirëfilltë politike për gratë në Shqipëri, ndaj duhet të ruajmë progresin e bërë, të parandalojmë regresin dhe të avancojmë më tej barazinë gjinore. Roli i partive politike në nxitjen e barazisë gjinore është kyç, veçanërisht teksa po i afrohemi zgjedhjeve të përgjithshme”.
Sipas njoftimit të KQZ-së, përfaqësuesit e partive politike trajtuan strategjitë e partive për përfshirjen e grave në politike dhe në vendimmarrje dhe sfidat në aksesimin e medias dhe financave gjatë fushatës zgjedhore. Gjithashtu, pjesëmarrësit sollën në vëmendje gjuhën e urrejtjes dhe denigrimin që u bëhet grave në median sociale.