
Rama: Të vetmit që i dorëzuam “shpatën” drejtësisë, misioni ynë të bëjmë shtetin demokratik europian
Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste, zhvilloi sot një takim me asambletë socialiste të njësive 1, 2, Pezë, Ndroq dhe Vaqarr.

Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste, zhvilloi sot një takim me asambletë socialiste të njësive 1, 2, Pezë, Ndroq dhe Vaqarr.
Gjatë fjalës së tij kreu i qeverisë u ndal edhe te lufta kundër korrupsionit si dhe Reforma në Drejtësi. Rama nënvizoi se Partia Socialiste ka për mision që të bëjë shtetin demokratik europian të shqiptarëve. Kreu i qeverisë shtoi se nuk ka pasur më parë që nga krijimi i shtetit shqiptar më 1912 që një person publik, politik të hetohet, ndalohet, gjykohet e më pas dënohet, por kjo u bë nga Partia Socialiste.
“Lufta kundër korrupsionit është shumë e habitshme, se ata të cilët bënë çmos që mos ta lejojnë të ndodhte kjo që po ndodh sot, fërkojnë duart dhe na sulmojnë ne, pse ndodh që njerëz të lidhur më pushtetin tonë përfshihen në hetime, në ndalime, në gjykime dhe dënime. Por këtë e kemi bërë ne, me vetëdije të plotë. Se po mos ta kishim bërë ne, do duhet të na tregonin se kur ka ndodhur më përpara kjo. Unë nuk di për veten time, e përsëris shpesh dhe kam pritur që ndonjë historian të më thotë se “e ke gabim”, nuk di që nga 1912 e deri mbasi ne kaluam Reformën në Drejtësi, mbasi u ngrit SPAK dhe GJKKO, të jetë kapur ndonjë person publik, politik nga një prokuror dhe një gjykatës i pavarur edhe të jetë bërë hetimi, edhe të jetë dhënë dënimi, duke qenë ky person i lidhur me ata që kanë qenë në qeveri. Unë nuk di. Këtë e kemi bërë ne, nuk e kanë bërë të tjerët”, tha Rama.
“E para, misioni i Partisë Socialiste është të bëjë shtetin demokratik europian të shqiptarëve dhe kush merr përsipër që të udhëheqë duhet të marrë përsipër edhe të gjitha dhimbjet që ka një proces, ku për interesin e madh duhet të marrësh edhe vendime që mund të sjellin pasoja të drejtpërdrejta edhe për ty, të kesh shpatën, e kishte në dorë qeveria në Shqipëri që nga 1912”, u shpreh Rama.
Rama shtoi më tej se “qeveria priste kokat që donte, falte kokat që nuk donte të priste, ne ia dorëzuam shpatën drejtësisë. Ia dorëzuam shpatën dhe duke pasur parasysh se ajo shpatë do të presë koka që mund të jenë dhe tonat”.
“Por, ama, nëse e shohim në pikturën e madhe të interesit kombëtar, është e vetmja rrugë që të kemi në këtë vend, për herë të parë një drejtësi që nuk pyet sa i gjatë je, sa i shkurtër je, sa i pasur je, sa miq ke, por të gjykon në bazë të marrëdhënies tënde me ligjin”, theksoi Kryeministri.
Duke iu referuar Reformës në Drejtësi, Rama tha se 5 vite janë shumë pak për të ndërtuar një nga tri shtyllat kryesore të shtetit, që është shtylla e pushtetit të pavarur profesional dhe që respekton liritë dhe të drejtat.
“Këtu po ndodhin edhe gjëra që nuk janë shumë korrekte. Kjo “zonja” (simboli i drejtësisë – shën. i red.) ka shpatën, por ka edhe peshoren, ka prokurori, por ka dhe gjykatë. Kjo peshorja është për të peshuar argumentet, provat, faktet e të dyja palëve, edhe të atyre që akuzojnë, edhe të atyre që akuzohen. Ka edhe sytë të mbuluar, pasi duhet të jetë e verbër, në kuptimin se nuk ka rëndësi fare se kush është ky dhe kush është ai. Rëndësi ka nga anon peshorja dhe në këtë aspekt, duhet akoma shumë durim dhe eksperiencë, sepse faza ku jemi, ka vetëm pavarësinë dhe shpatën, nuk e ka peshoren, nuk i ka sytë e mbyllur kjo është e vërteta, 5 vite ka kjo histori”, tha Rama.
“Janë shumë pak për të ndërtuar një nga tri shtyllat kryesore të shtetit, që është shtylla e pushtetit të pavarur profesional dhe që respekton liritë dhe të drejtat. Bota ku ne bëjmë pjesë dhe fati, që na ka vendosur natyra, Zoti, mes të Evropës dhe në këtë pjesë të botës është ndarë kjo punë e kohë kur të gjithë janë të pafajshëm, deri kur provohet dikush i fajshëm, kurse këtu po të shohësh kanale dhe portale të gjithë janë të fajshme, deri kur ndonjëri, me kismet, do të provohet i pafajshëm”, tha Rama.
Kreu i qeverisë shtoi se “duhet të durojmë, kemi dorëzuar pushtetin e kontrollit mbi drejtësinë tek drejtësia dhe i kemi vënë në dispozicion organizmin tonë politik për të ndërhyrë me atë shpatën dhe për të operuar sipas vendimmarrjeve të veta”.
“Ka dhe dhimbje, patjetër që ka dhimbje, gabime bëjnë të gjithë, dhe ata bëjnë gabime, hall i madh se gabimet tona, nëse rruga shtrohet pa cilësinë e duhur është një gabim i madh, që ka përgjegjës, por në fund të ditës do të shtrohet me cilësinë e duhur dhe do të kalojë. Por, nëse dikush që ka një familje dhe goditet padrejtësisht, shkatërrohet një jetë familjare njerëzish. Dhimbja është e fortë, por rrugë tjetër nuk ka! Ky është lidershpi i PS, ky është përkushtimi që ka PS për të bërë shtet, jo thjeshtë për të menduar për pushtetin e vet, për të lëshuar diçka shumë themelore nga vetja, që ka qenë historikisht në duart e pushtetit politik: kontrolli mbi drejtësinë. E bëmë ne!”, tha Rama.
Burimi ATSH