
Banka Shqiptare e Zhvillimit, Muço: Mundësi për bizneset e reja, nxit prodhimin “Made in Albania”
Eksperti i Ekonomisë, Klodian Muço në një intervistë për ATSH-në flet për sfidat për ngritjen e kësaj banke, ndërsa thekson se banka të tilla janë ngritur edhe në vende të tjera dhe kanë rezultuar të suksesshme.

Pak javë më parë, qeveria bëri të ditur se synon të ngrejë Bankën Shqiptare të Zhvillimit, përmes së cilës mbështeten ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, përfshirë dhe startup-et si edhe projektet zhvillimore që lidhen me përmirësimin dhe modernizimin e infrastrukturës fizike dhe digjitale, me fokus të veçantë tek investimet e gjelbra.
Eksperti i Ekonomisë, Klodian Muço në një intervistë për ATSH-në flet për sfidat për ngritjen e kësaj banke, ndërsa thekson se banka të tilla janë ngritur edhe në vende të tjera dhe kanë rezultuar të suksesshme.
Muço shprehet se ato duhet të orientohen drejt financimit të ndërmarrjeve të reja dhe projekteve prioritare për zhvillimin ekonomik të vendit sikurse drejt atyre që krijojnë më tepër punësim.
“Ideja e krijimit të kësaj Banka Zhvillimi nuk po diskutohet për herë të pare. Ka me dhjetëra raste në vende të ndryshme të botës që kanë pasur nisma të tilla dhe kanë rezultuar të suksesshme. Në vendet e rajonit mund të veçojmë Maqedoninë e Veriut. Një rast shumë i mirë, e që merret në konsideratë në literaturën ekonomike është Banka e Zhvillimit e ngritur në Brazil, që bën të mundur financimin e startup-eve të reja, apo atyre kompanive që kanë vështirësi në aksesin financiar për projekte të caktuara që konsiderohen prioritare në zhvillimin ekonomik të një vendi, si dhe projekte që kanë në fokus punësimin”, deklaron Muço.
Muço shprehet se këto lloj bankash ofrojnë mundësi për bizneset e reja të cilat për shkak të mungesës së historikut nuk ofrojnë garanci për aftësinë e tyre paguese para bankave të nivelit të dytë, kriter ky kryesor për kreditimin.
Por shton ai, banka të kësaj natyre nuk deformojnë tregun.
“Bankat e kësaj natyre nuk krijojnë probleme në konkurrueshmërinë në raport me bankat e tjera private. Fokusi i këtyre bankave është financimi i bizneseve startup, që bankat e tjera të nivelit të dytë shpeshherë nuk i marrin në konsideratë për arsye të mungesës së historikut të tyre, apo për arsye të bilanceve në vitet e kaluara. Pra nuk kanë garanci për aftësinë e tyre paguese në dukje”, thotë ai.
Ai thekson rëndësinë e krijimit të kësaj banke edhe për rritjen e prodhimit të produkteve shqiptare.
“Është një nismë e mirë që mund të stimulojë konkurrueshmërinë me anë të nxitjes apo stimulimit të produkteve “Made in Albania””, shprehet Muço.
Më tej, Muço nënvizon se në suksesin e kësaj banke, zgjedhja e drejtuesve dhe një personeli me eksperiencë në këtë fushë, luan rol thelbësor.
“Problematika kryesore që krijon skepticizëm është tendenca që nëpër institucione të një rëndësie të veçantë si Banka e Zhvillimit shpeshherë është vënë re punësimi i personave jo me një eksperiencë të gjatë në fusha të caktuara që mund t’i japë vlerë të shtuar këtyre institucioneve. Nëse do të ketë staf të kualifikuar me kontribut të rëndësishëm në këtë sektor të ekonomisë do të ketë shumë sukses. Sfida kryesore e këtyre institucioneve është kjo”, deklaroi eksperti.
Aspekti i dytë, shprehet Muço, është pjesa e vlerësimit dhe identifikimit të startup-eve të reja dhe gjetja e mekanizmave si të stimulohen bizneset e reja që të trokasin në një institucion financiar si Banka e Zhvillimit.
Aspekti i tretë, thotë ai, është pjesa e ekspozimit financiar.
“Pra, si do të zgjidhet forma e financimit të këtij institucioni. Duke ndjekur modelin e Banko-Postës si Italia, modelin e Bankës së Zhvillimit të Brazilit, apo modelin e financimit të zhvillimit të Maqedonisë së Veriut”, thekson Muço.
Në varësi të modelit që do të zgjidhet për t’u financuar, shton Muço, do të jetë edhe sfida se si do të gjendet aksesi i parave për të bërë të mundur zhvillimin e aktiviteteve normale të kësaj banke.
Për ngritjen e Bankës Shqiptare për Zhvillim, kapitali fillestar do të jetë 10 miliardë lekë, kontribut i shtetit shqiptar, i cili do të shlyhet brenda një afati 4-vjeçar. Po ashtu, shteti do të jetë edhe aksionar i 51% të aksioneve të saj.
Banka Shqiptare për Zhvillim do të mbledhë fonde përmes mekanizmave të ndryshëm, duke përfshirë pranimin e fondeve të kthyeshme nga publiku dhe instrumente të tjera financiare, e po ashtu do të mund të krijojë degë dhe shpërndarja bija brenda dhe jashtë vendit.
Burimi ATSH