
At Gjon Shllaku, françeskani filozof, i dënuar nga regjimi komunist
Më 4 mars të vitit 1946 u nda nga jeta At Gjon Shllaku, françeskani i dënuar me vdekje nga regjimi komunist.

Më 4 mars të vitit 1946 u nda nga jeta At Gjon Shllaku, françeskani i dënuar me vdekje nga regjimi komunist.
Vendimi për ekzekutimin e tij u lëshua nga i ashtuquajturi “gjyq popullor”, më 22 shkurt 1946. Pretenca që rëndonte mbi françeskanin qe ngritur mbi pretendimin e drejtimit të organizatës “Dora e Zezë”, e cila dyshohej për qëllime destabilizuese në Shqipëri.
Regjimi pretendonte se, me mbështetjen “nën rrogoz” të Vatikanit dhe nën udhëheqjen e Shllakut, kjo organizatë e supozuar, do të ndërmerrte një sërë atentatesh në mbarë vendin, duke aluduar edhe për ndërlidhje të saj me vendet perëndimore.
Në të gdhirë të mëngjesit të 4 marsit, At Gjon Shllaku u vendos para togës së pushkatimit, së bashku me At Daniel Dajanin, At Xhovani Faustin dhe seminaristët, Qerim Sadiku dhe Gjelosh Lulashi, që akuzoheshin si anëtarë të organizatës.
I Lumi At Gjon Shllaku, lindi në Shkodër më 27 korrik 1907. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në vendlindje, nën kujdesin e françeskanëve. Studimet e larta për shkenca i ndoqi në Universitetin e Lovanios në Belgjikë. Mandej, u thellua në disiplinën e filozofisë dhe të teologjisë në Holandë dhe në Sorbona të Parisit, prej nga ku mori titullin akademik “doktor”. Me t’u kthyer në Shqipëri, ishte profesor i filozofisë në liceun “Illyricum”. U shugurua meshtar më 15 mars 1931.
Burimi ATSH