
Vengu me Komisionerin e Mbrojtjes, kërkon përfshirjen e Shqipërisë në programet e BE-së
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, gjatë vizitës njëditore në strukturat e Bashkimit Europian në Bruksel, zhvilloi një takim me Komisionerin për Mbrojtjen të Bashkimit Evropian, Andrius Kubilius.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, gjatë vizitës njëditore në strukturat e Bashkimit Europian në Bruksel, zhvilloi një takim me Komisionerin për Mbrojtjen të Bashkimit Evropian, Andrius Kubilius.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Vengu nënvizon se nënshkrimi i dokumentit të “Partneritetit të Sigurisë dhe Mbrojtjes ndërmjet Shqipërisë dhe BE-së në dhjetor 2024, na jep mundësinë të rrisim bashkëpunimin efektiv për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes”.
Vengu thekson më tej se “u njoha me përpjekjet e nisura nga Komisioneri për të fuqizuar komponentin e Mbrojtjes të Unionit dhe kërkova më shumë mbështetje dhe përfshirje të Shqipërisë në programet e BE-së për zhvillimin e kompleksit industrial të Mbrojtjes”.
Ky partneritet strategjik do të forcojë përpjekjet e Shqipërisë për të luftuar kërcënimet hibride dhe kibernetike, ekstremizmin dhe do të rrisë më tej aftësitë e vendit tonë për sigurinë dhe mbrojtjen, duke kontribuar për një Europë më të sigurt dhe më të qëndrueshme.