
Memorandum mirëkuptimi Shqipëri-Austri, Çela: Mundësi për të sjellë më shumë vizitorë austriakë
Gjatë vitit 2024, Shqipëria u vizitua nga mbi 71 mijë vizitorë austriakë.

Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Zana Çela nënshkroi sot në panairin ndërkombëtar të turizmit ITB Berlin një memorandum mirëkuptimi me drejtoreshën ekzekutive të bordit të turizmit të Austrisë, Astrid Steharnig-Staudinger për të forcuar bashkëpunimin në promovimin e turizmit.
Në një postim në rrjetet sociale, Çela tha se “ky memorandum mirëkuptimi mes Agjencisë Kombëtare të Turizmit dhe Bordit të Turizmit të Austrisë është një mundësi e madhe për të zhvilluar më tej turizmin në Shqipëri dhe për të sjellë më shumë vizitorë austriakë”.
“Austria konsiderohet si pioniere në turizmin e qëndrueshëm, ndaj dhe bashkëpunimi me Oesterreich Werbung na ofron mundësi të vlefshme për të zhvilluar më tej Shqipërinë si një destinacion tërheqës dhe për të rritur përvojën e udhëtimit për vizitorët austriakë”, theksoi Çela.
Në takim Astrid Steharnig-Staudinger u shpreh se “Austria ka një përvojë prej dekadash në turizëm, veçanërisht në ndërkombëtarizimin dhe rrjetëzimin e tregut global. Ne duam ta përdorim këtë ekspertizë për të mbështetur Shqipërinë në zhvillimin e saj dinamik si një destinacion turistik”.
Gjatë vitit 2024, Shqipëria u vizitua nga mbi 71 mijë vizitorë austriakë.