
Rama: Tirana ende nuk e ka zbuluar të gjithë potencialin e vetë, më e mira është përpara
Në fjalën e tij në eventin “Tirana, Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut 2025”, Rama u shpreh se, “në muajt e ardhshëm Tirana do të ketë një numër të madh aktivitetesh, ekspozitash, koncertesh, festivalesh, ngjarjesh kulturore dhe artistike

Kryeministri Edi Rama deklaroi se, Tirana ende nuk e ka zbuluar të gjithë potencialin e vetë.
Në fjalën e tij në eventin “Tirana, Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut 2025”, Rama u shpreh se, “në muajt e ardhshëm Tirana do të ketë një numër të madh aktivitetesh, ekspozitash, koncertesh, festivalesh, ngjarjesh kulturore dhe artistike që do të përpiqen të krijojnë mozaikun e qenies mesdhetare në funksion të të qenit Kryeqytet Evropian i Kulturës dhe i Dialogut në Mesdhe”.
“E gjitha kjo nuk ndodhi brenda një kohe të shkurtër, por as në fakt nuk ka ndodhur brenda një kohe të gjatë. Sigurisht që më e mira është e gjitha përpara”.
Rama shprehu bindjen dhe besimin që Tirana ende nuk e ka zbuluar të gjithë potencialin e vetë.
“Ajo që ne shohim sot është padiskutim një pamje e transformuar, gati-gati e pabesueshme për ata që shkelin pas shumë vitesh”, tha Rama.
Kreu i qeverisë solli e rastin e një mikut të tij, i cili vizitoi vendin tonë pasi kishte emigruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitet 90’.
“Përpara disa kohësh më erdhi një mik bashkë me të shoqen. Mik fëmijërie, janë larguar për në SHBA shumë vite më parë në vitet 90 edhe u takova me ta dhe po më tregonin sesi e kishin pasur tejet të vështirë të orientoheshin në Tiranë dhe sesi ishte dukur sikur nuk kishin ardhur në Tiranë, por në një qytet nga ku, fjalët e tyre “sikur të kishte qenë kështu nuk dot ë kishin ikur kurrë””, tregoi Rama.
Kjo, u shpreh Kryeministri, “është një arsye shumë e fortë, jo për të qenë të kënaqur me këtë që kemi, por për të besuar tek ajo që duam të realizojmë dhe për të pasur bindjen e plotë që gjithçka duam të realizojmë, ne kemi të gjitha mundësitë që ta bëjmë realitet”.
Burimi ATSH