
Bujqësia dhe agroturizmi, Rama: Dy linja financimi, nxitje agropërpunimit
Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim në Kuçovë me përfaqësues të bizneseve të vogla dhe të mesme të zonave rurale

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim në Kuçovë me përfaqësues të bizneseve të vogla dhe të mesme të zonave rurale, të cilët i informoi mbi dy linjat e reja të financimit për zhvillimin rural, kredinë e butë dhe garancinë sovrane.
Rama theksoi se këto dy linja të reja do të lehtësojnë aksesin në financa të sipërmarrësve të vegjël e të mesëm në fshat, me qëllim rritjen e investimeve në sektorët prioritarë si prodhimi bujqësor e blegtoral; mekanizim e inovacion; agropërpunim dhe infrastrukturë agroturistike.
Kryeministri theksoi se “kredia e butë me një linjë financimi 250 milionë euro dhe me normë interesi 3.5%, e kombinuar me Garancinë Sovrane, e ul normën e interesit në 2% dhe mbulon kolateralin deri në 70%”.
Kryeministri theksoi se nevoja për financim për agroturizmin është e vazhdueshme, ndërsa nxiti sipërmarrësit të aplikojnë në dy instrumentet e reja të financimit.
“Kjo duke u nisur nga linja kryesore e financimit që është linja e Bankën së Shqipërisë duke vendosur 250 milionë euro në shërbim të bizneseve të vogla dhe të mesme me fokus te bujqësia. Kur vjen puna te fokusi i bujqësisë agroturizmi është një nga komponentët, pasi janë edhe serrat, blegtoria dhe agropërpunimi”, tha Rama.
Kryeministri kërkoi nga sipërmarrësit që të mendojnë edhe për agropërpunimin në funksion të rritje së biznesit dhe daljes në treg me produktet e tyre.
Rama veçoi produktet që prodhohen nga disa agroturizme në vend si “Chestnut Hill”, “Fustanella”, apo “Çobo”, ndërsa theksoi se pavarësisht se ato janë produkte fantastike nuk janë ende në masë për të dalë në treg.
“Më ka bërë përshtypje në Zvicër ku një vaj ulliri i prodhuar në Shqipëri me një shishe të vogël kishte një çmim 5-6 herë më të lartë se tregu. Ishte produkt special. Tregu i kërkon këto, ndaj duhet të jeni ambicioz jo vetëm për tregun e brendshëm por edhe për jashtë. Jo për masivitet, por për supercilësi dhe origjinalitet. Kredia me 2% është fantastike me 70% të garancisë mbi kolaterialin”, tha ai.
Kryeministri solli në vëmendje shembullin e “Chestnut Hill” në malet e Tropojës, që sipas tij, është shembulli që kthen përmbys edhe një ekuacion, sipas së cilit është e pamundur të bësh bujqësi e të gjesh treg duke qenë larg territoreve dhe hapësirave ku zhvillohet bujqësia.
“Nëse ke një agroturizëm e sjell vetë tregun te dera jote. Chestnut Hill është një destinacion i mahnitshëm në majë të maleve aty ku jo pula ha gurë, por guri ha pulën dhe ku askujt nuk do t’i binte rruga por që sot shkohet me rezervim”, shtoi ai.
Burimi ATSH