
Komisioneri Dervishi takim me Abbott: Siguria e sistemeve, e rëndësishme për mbrojtjen e të dhënave personale
Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi, priti në një takim zyrtar ambasadorin e Britanisë së Madhe në Tiranë, Nicholas Abbott.

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi, priti në një takim zyrtar ambasadorin e Britanisë së Madhe në Tiranë, Nicholas Abbott.
Në këtë takim, palët diskutuan mbi progresin e bërë nga Shqipëria gjatë viteve të fundit dhe në veçanti sa i përket fushave të veprimtarisë së Zyrës së Komisionerit, e drejta e informimit, mbrojtja e të dhënave personale, si dhe të dhënat e hapura.
Komisioneri Dervishi i shprehu mirënjohjen ambasadorit Abbott për mbështetjen e vazhdueshme dhe marrëdhënien e shkëlqyer të ndërtuar ndër vite me Britaninë.
Dervishi e njohu ambasadorin me rolin e tij si Komisioner për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, për të cilin tha se ndjehet i privilegjuar që drejton prej vitesh këtë institucion. Komisioneri theksoi se është përpjekur të japë kontributin e tij maksimal për të ngritur nivelin profesional të institucionit, si edhe për të forcuar marrëdhëniet me partnerët dhe institucionet homologe.
Gjithashtu, ai e informoi ambasadorin për veprimtarinë e Zyrës së Komisionerit, funksionet, si edhe iniciativat ligjore të ndërmarra përgjatë viteve të fundit. Referuar procesit zgjedhor të 11 majit, Dervishi e njohu ambasadorin me kontributin që Zyra e Komisionerit ka dhënë në hartimin e një sërë aktesh të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve si aktet për sistemin PER, politikat e privatësisë, hartimin e deklaratave të konfidencialitetit, hartimin e vendimit për votuesit nga jashtë vendit, etj.
Komisioneri Dervishi theksoi “se siguria e sistemeve është shumë e rëndësishme në kuadër të mbrojtjes së të dhënave personale dhe në këtë drejtim fokusi i Zyrës së Komisionerit është të parandalojë situatat e rrjedhjes së të dhënave”.
Ambasadori Abbott shprehu vlerësimet e tij ndaj Shqipërisë dhe cilësive të popullit shqiptar. Ai vlerësoi punën e Zyrës së Komisionerit dhe rikonfirmoi mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar, duke ofruar ekspertizën profesionale në funksion të rritjes së mëtejshme të kapaciteteve institucionale dhe aplikimit të standardeve më të mira ndërkombëtare.