
Rama: Në 11 maj kalon treni i historisë për të anëtarësuar Shqipërinë në BE brenda kësaj dekade
Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetari i PS-së u shpreh se sot Shqipëria ka një mundësi reale akt

Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetari i PS-së u shpreh se sot Shqipëria ka një mundësi reale aktuale që të bëhet anëtare e BE-së.
Duke marrë fjalën në takimin në Tiranë për prezantimin e kandidatëve socialistë në zgjedhjet e 11 majit për qarkun, Rama tha se, “këtë gjë që nuk e kemi pasur para disa kohësh, pavarësisht se ne i kemi bërë detyrat tona për anëtarësimin në BE, pavarësisht se Komisioni Europian tre herë rresht ka konfirmuar se Shqipëria i ka bërë punët e veta dhe tre herë rresht u ka kërkuar 27 vendeve të hapin negociatat me Shqipërinë dhe çdo herë ka dalë ndonjë vend dhe kanë thënë jo. Ne kemi dashur dhe ata nuk kanë dashur”.
“Por ama, vijoi ai, unë që jam dëshmitari nga shumë brenda këtij procesi, si asnjëherë më parë që flasim tani, nuk e kam parë atë që shoh sot, dhe po shoh dëshirën e tyre që të ndodh, që Shqipëria të jetë anëtare e BE”.
Rama vuri në dukje se, “kjo nuk ka ardhur se ne bëmë një mrekulli”.
Por, sipas tij, Europa po zgjerohet dhe për këtë ka vetëm dy vende që mund të anëtarësohen shpejt, Shqipëria dhe Mali i Zi.
“Për të gjithë ata që ndjekin sadopak lajmet, BE do të zgjerohet se bota është në situatë tjetër, gjërat janë lëkundur dhe duhet ripozicionim. Si shqiptarë na takon të bëjmë gjithçka që të hyjmë tek dera e zgjerimit të BE-së. Për herë të parë, yjet e fatit tonë dhe të Europës janë bashkë. Duan ata, duam dhe ne. Shqipëria të jetë në BE. Është hapur dera e zgjerimit që nuk do të rrijë e hapur gjithmonë. Duhet t’i japim mesazh të qartë. Që PS që sot është në qeveri nuk lëviz nga qeveria. Nuk duhet të ketë asnjë luhatje. Është gabim historik nëse nuk kuptohet. Mund të ngelet pishman i madh. Në 11 maj kalon treni i historisë jo për PS-në apo 71 mandatet por për të mbyllur negociatat dhe anëtarësuar Shqipërinë në BE brenda kësaj dekade”, tha Rama.
“Të thuash se procesin mund ta bëjnë të tjerët është të mos kesh kuptuar asgjë. Të tjerët nuk e bëjnë dot. Nëse nuk bëhet në 2027, dera mbyllet dhe ne e pësojmë si Maqedonia e Veriut që u bë kandidate e BE-së në 2005” theksoi kryeministri.
Burimi ATSH