
Gonxhja: Fonde të garantuara për të kontribuar në mbrojtjen e kafshëve
Ministri për Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin, Blendi Gonxhja sot në episodin e radhës të podkastit “JuFletKombinati”, bisedoi me Indritin dhe Kristianën nga Qendra e Shpëtimit dhe Kujdesit për Kafshët, mbi dashurinë dhe përgjegjësinë për katërputroshët.

Ministri për Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin, Blendi Gonxhja sot në episodin e radhës të podkastit “JuFletKombinati”, bisedoi me Indritin dhe Kristianën nga Qendra e Shpëtimit dhe Kujdesit për Kafshët, mbi dashurinë dhe përgjegjësinë për katërputroshët.
I bashkëshoqëruar në këtë podkast nga katërputroshi “Koko”, Gonxhja tregoi mbi kujdesin dhe dashurinë e veçantë që tregojnë të gjithë në familjen e tij, për qenin e tyre Koko.
Ministri përgëzoi dy të rinjtë që janë angazhuar në organizata të mirëfillta që kanë për mision dhe qëllim mbrojtjen ndaj kafshëve shtëpiake por edhe atyre endacake.
“Sot kërkohet një kujdes dhe përgjegjshmëri më e madhe nga komunitetit për katërputroshët, aq më tepër kur Shqipëria synon anëtarësimin në BE, që është një standard i përcaktuar shumë qartë që duhet t’i përshtatemi. Të reflektojmë në radhë të parë financimin e institucioneve dhe detyrimet që duhen plotësuar, pasi nuk mund të jetë çështje vullnetarizmi por duhen fonde të garantuara që mbështeten nga bashkitë apo shtetit për të kontribuar në mbrojtjen e kafshëve”, u shpreh Gonxhja.
Ai tha se kërkohet më tepër sensibilizim i komuniteteve për mbrojtjen e tyre.
Kristiana tregoi se e nisi aktivitetin e prekur nga gjendja e qenve endacak që kishte në lagjen e saj.
“Unë nisa të kujdesem për ta individualisht, por kisha një problem madhor për t’iu dhënë një ndihmë dhe zgjidhje të qëndrueshme atyre dhe për këtë krijuam qendrën “Bamby” dhe sot jemi një organizatë jofitimprurëse. Kemi shumë punë dhe unë dua që të gjithë qenushët që kemi aty të kenë të njëjtin kujdes dhe dashuri sikurse ka Bamby, qeni im që unë e kam prej 6 vitesh në shtëpi”, tha ajo.
Ndërsa Indriti tha se, organizata për kujdesin e kafshëve, ku ai është angazhuar është ngritur që në vitin 2011. “Kjo organizatë lindi si nevojë për të bërë në mënyrë më të organizuar ndihmën dhe kujdesin ndaj kafshëve, gjë të cilën e bënim secili nga ne individualisht”, u shpreh ai, teksa vuri në dukje se, organizata po e shtrin funksionin e saj në të gjithë Shqipërinë.
Indriti tregoi se qenin e tij, Braunin e ka prej 13 vitesh.
“E kam adoptuar nga rruga. E kishte përplasur makina në anë të lumit Lanë. Kur unë shkova për ta marrë ai kishte rënë në Lanë dhe kishte thyer këmbën”, u shpreh Indriti.
Gonxhja e cilësoi këtë angazhim të të rinjve hapin e duhur për kujdesin e kafshëve endacake duke i sjellë ato rrugët në strehë.
Burimi ATSH