
Policia e Shtetit dhe partnerët italianë, bashkë kundër krimit të organizuar
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda mirëpriti në takim një delegacion të Policisë së Italisë, që kryesohej nga Prefekti Alessandro Giuliano, Drejtor Qendror i Antikrimit në Departamentin e Sigurisë Publike.

Ditën e sotme, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda mirëpriti në takim një delegacion të Policisë së Italisë, që kryesohej nga Prefekti Alessandro Giuliano, Drejtor Qendror i Antikrimit në Departamentin e Sigurisë Publike.
Vizita e Prefektit, vjen pas vizitës në Romë, disa ditë më parë, të Drejtorit të Përgjithshëm Ilir Proda dhe Drejtorit të Departamentit të Policisë Kriminale Neritan Nallbati.
Prioritet i këtij takimi ishte diskutimi mbi hapat konkretë që do të ndërmarrin në vazhdim te dyja policitë, me objektiv forcimin e luftës kundër krimit në përgjithësi dhe krimit të organizuar në veçanti.
Proda dhe Prefekti Giuliano vlerësuan bashkëpunimin e shkëlqyer të deritanishëm, veçanërisht ndërmjet Policive Kriminale.
Ky bashkëpunim ka rezultuar me krijimin e një sërë skuadrash hetimore të përbashkëta, si dhe me finalizimin e operacioneve kundër trafikimit të lëndëve narkotike, për goditjen e organizatave kriminale dhe për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Proda e siguroi Prefektin Giuliano se Policia e Shtetit është tërësisht e angazhuar për të bashkëpunuar me partnerët, mbi baza besueshmërie dhe profesionalizmi.
Më tej, Prefekti Giuliano zhvilloi një takim me drejtorin e Departamentit të Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtues i Lartë Neritan Nallbati dhe me drejtuesit e drejtorive të këtij departamenti.
Gjatë takimit, Prefekti vlerësoi vendosmërinë dhe kapacitetet hetimore e profesionale të Policisë shqiptare, si dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim më të ngushtë dhe shkëmbim informacionesh dhe sinjalesh, pa barriera.
Burimi ATSH