
“Thesare të Muzeut Historik Kombëtar”
Ekspozita është hapur në Panairin “Muse-X”. Drejtoresha e MHK, Elenita Roshi: Pjesë e projektit tonë “Muzeu në shesh”

Ekspozita “Thesare të Muzeut Historik Kombëtar” përbëhet nga rreth 25 stenda, të cilat përmbajnë objektet e përzgjedhura nga pavijonet e muzeut.
Tirana këtë fundjavë është epiqendra e muzikës dhe artit, me edicionin e parë të EkspoFest Muse-X, që zhvillohet nga data 11 – 13 prill në Sheshin “Italia”. Ky event i veçantë ndërthur muzikën, industrinë kreative dhe promovimin e kulturës.
Ekspozita “Thesare të Muzeut Historik Kombëtar” përmban 25 stenda me fotografi të artefakteve më përfaqësuese, arkeologjike, mesjetare dhe ikonografike. Me mbështetjen e fotografit Fation Plaku, janë realizuar fotot e vendeve ku janë zbuluar objektet e paraqitura në ekspozitë.
Përmes kësaj ekspozite, muzeu ofron një itinerar të pasur historik dhe artistik.
“Është një ekspozitë që ka qenë pjese e punës së Muzeut Historik Kombëtar, me synimin që ta nxjerrim sa më shpesh pranë publikut dhe vizitorëve. E gjithë motoja jonë është “Muzeu në shesh”, pasi muzeu do të jetë i mbyllur deri në vitin 2028 dhe si të tillë ne duhet të zëvendësojmë mungesën e muzeut real. Kjo dhe ekspozita të tjera do të jene më të shpeshta. Fale aktivitetit të “Muse-x”, ne jemi pjesë e një industrie të tërë, industrisë kreative të artit dhe muzikës. Nuk është e çuditshme që Muzeu është i pranishëm, pasi për ne historia dhe trashëgimia formojnë një binom shumë të rëndësishëm për krijimtarinë”, tha Drejtoresha e Muzeut Historik Kombëtar, Elenita Roshi.
Muzeu Historik Kombëtar krahas objekteve të shumta, ka edhe një koleksion të pasur artefaktesh arkeologjike prej të cilave mund të përmendim: koleksionin e objekteve prehistorike; koleksionin e skulpturave; enët prej qeramike; monedhat ilire, greke e romake; objekte të shumta të zejtarëve vendas në qeramikë e metal etj., me një shtrirje të gjerë në kohë nga prehistoria, antikiteti greko – romak, periudha antike e vonë e deri në mesjetë.
Në ekspozitë, krahas objekteve të tjera të përfshira, nga pavijoni i arkeologjisë, janë përzgjedhur eksponatet më të spikatura, të cilat përfaqësojnë objekte me vlera artistike, estetike dhe historike, e njëkohësisht përbëjnë kryevepra të artit antik të kohës, duke treguar për nivelin e lartë të zhvillimit ekonomik e kulturor që arritën qytetet ilire.Larmia e objekteve mesjetare të ekspozuara synon të ofrojë një panoramë gjithëpërfshirëse të kulturës materiale, që u formua në territorin e Shqipërisë dhe ftojnë vizitorin në një intenerar historik, duke ndjekur kronologjinë e ngjarjeve kryesore, që zunë vend në territorin tonë, për një periudhë që shkrihet nga Antikiteti i Vonë e deri tek periudha bizantine dhe ajo osmane.
Si rrjedhojë, objektet më përfaqësuese të këtyre epokave janë përfshirë në ekspozitë, me një interpretim të shkurtër, që integron dhe kontekstin historik, produkt i të cilit janë. Në një këndvështrim lokal gjatë kësaj periudhe mbruhen dhe marrin formë formacionet e para shtetërore si Principata e Arbërit (shek. XII), ai i Karl Topisë (1359-1388), etj., kufijtë e të cilave, ndonëse konvencialë e të lëvizshëm përbëjnë skenën historike ku do të zhvillohen ngjarjet e kohës. Objekt i veçantë në ekspozitë është Epitafi i Gllavenicës, i cili daton në vitin 1373.
Ekspozita “Thesare të Muzeut Historik Kombëtar” mbyllet me disa objekte ikonografike si ikona “Hyrja e Hyjlindëses në Tempull” e pikturuar nga Onufri, “Dyert e Bukura” të kishës “Shën Mëria”, Vllaherna në Berat të realizuara nga Onufër Qiprioti, ikona e “Shën Gjergjit” e pikturuar nga vëllezërit Çetiri, ikona “Shpërfytyrimi” e pikturuar nga David Selenica etj.
Objektet e ekspozuara përfshijnë një hark kohor, që fillon nga shekulli XVI e vazhdon deri në fillim të shekullit XIX, që njihet si periudha e artit pasbizantin.