
Rama: BE na sheh si një anëtar potencial, të tjerat janë “dokrra hini”
Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur sot, komenteve dhe pyetjeve të adresuara në platformat sociale në rubrikën “Sy m’Sy”

Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur sot, komenteve dhe pyetjeve të adresuara në platformat sociale në rubrikën “Sy m’Sy”, teksa në nisje të fjalës së tij u ndal te momentet e takimeve të djeshme në Bruksel dhe Luksemburg, nga takimi me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Kosta te Konferenca e katërt Ndërqeveritare Shqipëri – BE për hapjen e grup-kapitullit të dytë të negociatave.
“Përsëri me ju pas një dite fantastike dje në Bruksel dhe Luksemburg. Në Bruksel për takimin me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa me të cilin kemi ndërtuar një marrëdhënie të jashtëzakonshme edhe si rezultat i faktit që Antonio është shumë i interesuar dhe shumë i vëmendshëm lidhur me Ballkanin Perëndimor, por edhe me faktin se në cilësinë e kryeministrit të Portugalisë e ka vizituar Shqipërinë si i pari kryeministër portugez në histori dhe është larguar me mbresa të jashtëzakonshme nga Shqipëria. Patëm një bisedë shumë të gjerë, lidhur me ecurinë e procesit të negociatave të Shqipërisë që është një ecuri e përshëndetur nga të gjithë, pa asnjë përjashtim dhe për faktin që kalendari i vendosur për mbylljen e negociatave në 2027-n përkon me të gjitha rrethanat e krijuara nga bashkimi i yjeve, në kuptimin më të mirë të fjalës: Ylli i fatit evropian të Shqipërisë dhe yjet e BE-së. BE sot është më e interesuar se asnjëherë për zgjerimin dhe shikon te Shqipëria një aktor me besueshmëri të lartë, një aktor të respektuar dhe një protagonist të procesit të reformave në Ballkanin Perëndimor, pra së bashku me Malin e Zi një anëtar i ri potencial në BE”, tha Rama.
Kryeministri pohoi se një nga faktorët që ndikojnë në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE është dhe faktori gjeopolitik, por përtej kësaj BE sipas Ramës nuk është në situatën e bamirësisë, por kërkon që çdo shtet që afron ta ketë në standardet e veta.
“Kush thotë të kundërtën ose nuk ia ka idenë fare si funksionon BE-ja, ose pastaj bën sikur. Pavarësisht gjeopolitikës, nevojës që ka BE sot për të zgjeruar radhët e veta, për arsye gjeopolitike patjetër, BE-ja nuk të fal absolutisht asgjë, në asnjë rrethanë, për asnjë arsye.
BE mund të jetë e padrejtë kur ti mund ta meritosh të hedhësh hapin tjetër, dhe për arsye të dinamikave të brendshme të thotë “Jo”, na e ka bërë neve. Por, BE kurrë nuk është në situatën e një bamirësi, sepse me të drejtë kërkon që kë afron ta ketë si veten, me standardet e veta”, pohoi Rama.
“Nuk ka asgjë më të padiskutueshme lidhur me gjithë procesin e shtetbërjes në Shqipëri sesa rezultatet e monitorimit të vazhdueshëm të BE-së, të gjitha të tjerat janë broçkulla, janë “dokrra hini” kur thoshte Gjergj Fishta, janë muhabete të pazarit otoman të politikës shqiptare, sepse po të ishin sadopak afër të vërtetës të gjithë ato dokrra, ai llum që hidhet çdo natë në pjatat e shqiptarëve, që vazhdojnë kanë durimin të hapin kanalet e informimit televiziv vendas, nuk do të kishim shans ne të merrnim 2027-n si afat për mbylljen e negociatave”, vijoi Kryeministri.
Kreu i qeverisë theksoi se gjithçka e arritur deri tani në Shqipëri, është nën monitorim të vazhdueshëm nga një staf prej një mijë vetësh në Bruksel dhe të tjerë të angazhuar në Shqipëri që vëzhgojnë të gjithë procesin e shtetbërjes, në të gjitha fushat.
“E dini sa njerëz janë angazhuar në Bruksel për hulumtimin e situatës tërësore të organizimit shtetëror të Shqipërisë? Një mijë vetë nga të gjitha departamentet për të gjitha fushat, një mijë vetë, një popull i tërë simetrik me të gjithë atë popull që kemi angazhuar ne këtej për negociatat. Tani, një mijë vetë që merren me negociatat, që qëmtojnë çdo gjë, si mund të gabojnë dhe të jenë të pagabueshëm ca “kua-kua-kua” që i ke përnatë nëpër ato sallonet e berberhaneve televizive ku rruajnë dhe qethin kë t’u dalë përpara”, tha Rama.
“Jemi absolutisht në rrugën e duhur, kemi plot gjëra për të bërë akoma dhe për këtë po punojmë intensivisht, të meta plot, por jo ato të meta që na i këndon këneta e “kua-kua-kuave”.
Jemi spostuar nga Brukseli në Luksemburg ku zhvillohej dita e BE-së, sepse sipas Traktatit, janë tri herë në vit që BE spostohet në Luksemburg dhe ku kemi çelur një tjetër grup-kapitujsh që, siç e dëgjuat dhe jua thanë dhe jua rrokanisën kokën e kuadrit të bombardimit me gënjeshtrat e tyre: “Nuk do hapen më, se ishte mbyllur dera për Shqipërinë, sepse mua s’më kishin dhënë as darkë se isha sjellë keq, edhe sepse po prisnin tani bufin e kënetës, bashkë më qirje Dulen në Parlamentin Evropian”, që ua hapi derën qirje Beleri dhe u përmbys bota. Të tërë u ngritën në këmbë…”, pohoi Rama.
Burimi ATSH