
Rama: Koha që shteti të hyjë si financues në kompanitë e teknologjisë dhe të ketë përfitime
Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj zhvilluan sot një takim në kompaninë RITECH, një kompani model e zhvillimit të teknologjisë së informacionit me 300 të punësuar në Shqipëri dhe 200 në Kosovë e Maqedoninë e Veriut.

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj zhvilluan sot një takim në kompaninë RITECH, një kompani model e zhvillimit të teknologjisë së informacionit me 300 të punësuar në Shqipëri dhe 200 në Kosovë e Maqedoninë e Veriut.
Rama theksoi se 100% e të punësuarve në këtë kompani janë vajza e djem shqiptarë me një moshë mesatare rreth 30 vjeç dhe pagë mesatare 2500 euro.
Kompania RITECH, e cila e ka bazën në Selitë, punon për Amerikën dhe Europën, duke nisur nga menaxhimi i porteve në Shtetet e Bashkuara, tek ai i parkingjeve në Kanada dhe deri në Gjermani, ku RITECH punon me globalen gjermane “Siemens” e të tjerë.
Kryeministri theksoi se që ka ardhur koha që shteti të futet dhe të financojë në kompanitë që operojnë në fushën e teknologjisë dhe të përfitojë nga ato.
Rama solli në vëmendje po ashtu edhe bisedën me Mira Muratin lidhur me përdorimin e Inteligjencës Artificiale për transpozimin e legjislacionit në kuadër të procesit të integrimit europian si dhe për prokurimet publike digjitale.
“Fola me Mira Muratin dhe i thashë: A është e mundur që të futemi edhe ne? Dhe më tha: ‘Patjetër, kam 3 shtete që më kanë bërë në advance ofertën për t’u futur një nivel financimi’. Ne duam të hyjmë në këtë lojë. Në rastin tonë me kompanitë tona. Me logjikën time është të bashkëpunojmë dhe të kemi një produkt që ju mund ta përdorni ku të doni. Ndërkohë, gjërat kanë ndryshuar dhe kemi edhe të gjithë këtë punën e qeverisjes së kësaj marrëdhënie”, tha Rama.
Duke folur për përdorimin e inteligjencës artificiale në procesin e integrimit me BE-në, Rama kujtoi se bëhet fjalë për mbi 250 mijë faqe materiale, për të cilat vendet e tjera kanë përdorur një “ushtri” me përkthyes.
Kryeministri theksoi se problem mbetet edhe mbivendosja në legjislacion për të cilin është krijuar një sistem i veçantë për ta adresuar.
Rama tha po ashtu se i kishte kërkuar Mira Muratit bashkëpunim edhe për realizimin e prokurimeve publike me inteligjencë artificiale.
“Për prokurimet në momentin e parë të procedurave mund të ndodhi korrupsioni, prandaj ne kemi krijuar një sistem që nuk mund t’i hedhësh më në publik pa kaluar tek Agjencia e Prokurimit Publik. Por sërish janë manuale. Të gjitha kompanitë duhet të sjellin punonjës, kur 90% e asaj që kërkohet është ‘public relations’”.
Në përfundim kryeministri evidentoi edhe problemin që ekziston me adresat në Shqipëri, ndërsa shprehu bindjen se me këto start up-e mund të ndërtohet një sistem adresash komplet tjetër. “Ne kemi një problem kronik, shumë historik me adresat. Me këtë sistem mund të ndërtosh një sistem adresash që është komplet tjetër”, tha Rama.
Gjatë takimit me përfaqësues të kompanisë, Rama u ndal te disa prej projekteve të cilat po zhvillohen aktualisht me inteligjencë artificiale, ndërsa diskutoi edhe për shtrirjen e bashkëpunimit me kompaninë RITECH lidhur me aplikacionin për menaxhimin e parkingjeve.
Kryeministri informoi mbi projektin “Smart City”, i cili financohet nga Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërkohë që bëri të ditur se aktualisht është ndërtuar Qendra e Monitorimit që do të hapet për pak ditë.
“Do të kemi faktikisht një superinformacion nga gjithë lëvizja në qytetet e vendit”, tha Rama, ndërsa sugjeroi që të vendoset një bashkëpunim edhe për çështjen e parkingjeve.
“Nuk është problemi thjesht t’i japësh njerëzve vendin se ku mund të parkojnë, ndërkohë që është edhe problemi t’i menaxhosh hapësirat dhe t’i mbrosh nga ata që shkojnë dhe i zënë. Ideja e aplikacionit në Vankuver është që këto janë hapësirat, ti paguan për to dhe i mban të zëna dhe proporcioni i shkelësve në raport me proporcionin e përgjithshëm është shumë i vogël. Këtu proporcioni është i madh. Mbase duhet të shohim mundësinë të bashkëpunojmë edhe me ju që të bëjmë këtë aplikacionin ‘Pay by phone’ të integruar me kamerat, në mënyrë që pamjet të shfrytëzohen pastaj edhe nga Policia”, tha Rama.
Duke pasur në dispozicion sistemin e kamerave, Rama shprehu bindjen se mund të krijohet një bazë edhe për parashikimin e aksidenteve.
“Ti krijon një bazë që ty të ndodhin aksidente dhe pak nga pak me ‘pin data’ ajo fillon të krijojë probabilitete dhe ty të vjen probabiliteti që me 95% aksidenti i radhës do ndodhi këtu. Fillon të analizosh pse do të ndodhë këtu, çfarë rrethanash janë, specifikimin pse ndodh këtu dhe jo atje. Për ta çuar pastaj në një nivel më ekstrem që ka të bëjë me menaxhimin”, tha Rama.
Burimi ATSH